Kryefjala e mesazheve të politikës në Maqedoni ishte njohja e rezultatit dhe ecuria pa probleme e të gjithë procesit. Nga vendlindja e tij Kërçovë, kreu i BDI-së Ali Ahmeti pas votimit bëri thirrje për pranim të rezultatit të zgjedhjeve nga partitë politike.

“Të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve. Këto zgjedhje kanë të bëjnë shumë me përmirësimin e imazhit të vendit, por kanë të bëjnë edhe me shumë procese që presin zgjidhje në të ardhmen. Por mbi të gjitha presim një proces të mirë dhe të pranueshëm”, u shpreh Ali Ahmeti.

Ndersa Menduh Thaci, kreu i PDSH-se veç apelit për pjesëmarrje masive në votime, tërhoqi dhe vëmendjen për disa parregullsi të konstatuara.

“Kemi probleme të jashtëzakonshme, deri tani vëzhguesit tanë kanë ktheyer mbrapsht me qindra që duan të votojnë nga dy herë. I bëj apel Komisionit Qendror Zgjedhor e policisë që të marrin masa që kjo situatë të mos eskalojë”, tha Thaçi.

Nikolla Gruevski mbërriti në qendrën e votimit në orën 14:04 minuta. Shumë ndryshe nga politikanët e tjerë në të gjithë botën, të cilët zgjedhin të votojnë që në orët e para për të dhënë dhe mesazhin e pjesëmarrjes masive në votime.

 “Është një ditë shumë e rëndësishme dhe gjeja që më bënë të lumtur është fakti që deri në orën 14:00 nuk kemi pasur asnjë incident. Qytetarët sot votojnë për të vazhduar punën tonë integruese”, tha Gruevski.

Ai la pa përgjigje pyetjet se çfarë do të bënte nëse humbiste duke u larguar në këmbë në rrugën që të çon në Parlamentin e Maqedonisë, por me te vetmen dilemë, serish si kryeministër apo si një deputet i thjesht?

Ndërsa rivali i tij kryesor Zoran Zaev votoi rreth mesditës në qytetin e tij në Strumicë. Ai tha se është koha që politika e deritanishme të mos ekzistojë më në Maqedoni.

 “Është ditë historike për Maqedoninë, sepse sot qytetarët votojnë për një Maqedoni të bashkuar, europiane dhe votojnë‎ per një të ardhme të sigurt në Maqedoni pasi ky është momenti i fillimit të ndryshimeve”, u shpreh Zaev.