Abdulla Mehmeti

(Pjesë të shkëputura nga një analizë përmbledhëse për procesin zgjedhor)

SHQIPTARËT NË MËNYRË INTELIGJENTE E NDËSHKUAN STRUKTURAT E VJETRA NË PUSHTETIN VENDOR

Shqiptarët në Maqedoni, në zgjedhjet vendore të fundit dëshmuan se janë për ndryshime dhe reforma të thella në të gjitha nivelet e pushtetit, duke u dhënë goditje të fiqishme strukturave të pushtetit vendor të derisotëm.

Subjekti politik i shqiptarëve që ka qeverisur me pushtetin vendor për disa mandate me radhë, gati në të gjitha komunat me shumicë të popullsisë shqiptare, në mënyrë shumë inteligjente e morri dënimin e merituar dhe porosinë e qartë nga votuesit shqiptarë, se janë për ndryshime, jo për vendnumëro. Votuesit shqiptarë dëshmuan se janë kundër korrupsionit dhe krimeve nga individët, grupet dhe organet e pushtetit ndaj qytetarëve.

Në bazë të numrit të përgjithshëm të votave në nivel të shtetit dhe në bazë të votave të fituara sipas komunave me shumicë shqiptare, subjektet e reja politike janë në epërsi të dukshme, nga Likova deri në Strugë.

Me këtë, shqiptarët në Maqedoni dëshmuan se janë për ndryshime dhe reforma, si në pushtetin qendror edhe në atë vendor.

Goditja e votuesve shqiptarë për ndëshkimin e pushtetit të derisotëm në nivel të komunave ishte më inteligjente, jo e drejtpërdrejtë, për shkak të rrethanave dhe për mungesë të mbrojtjes së tyre nga institucionet e pushtetit, siç e kanë qytetarët maqedonas (koalicioni i partive të tyre udhëheq me Parlamentin, Qeverinë dhe institucionet e sigurisë së shtetit), ndërsa partia shqiptare (BDI), strukturat e së cilës duhet të lagohen nga pushteti vendor përmes votës së lirë të qytetarëve, ende është pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe gëzon përkrahjen e hapur nga partneri i saj maqedonas i koalicionit (LSDM), që është në kundërshtim me parimet demokratike dhe qasjen e drejtë të pushtetit ndaj shqiptarëve, si për të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare dhe gjuhësore, ose përcaktimi tjetër.

Si do të zhvillohet balotazhi mes kandidatëve në këto komuna, do të varet nga strategjia e subjekteve politike pjesëmarrëse në këtë proces zgjedhor, gatishmëria për bashkëpunim dhe harmonizimi i qëndrimeve dhe interesave të tyre, por një gjë tanimë është e sigurt, se votuesit shqiptarë ia dhanë goditjen e merituar pushtetit të derisotëm edhe në nivel të pushtetit vendor, duke e nxjerrë si humbës absolut subjektin e politik, i cili ka qeverisur me gati të gjitha komunat me shumicë shqiptare deri më sot, edhe atë, për disa mandate pa ndërprerë, si në periudhën e regjimit komunist.

Dëshira e një subjekti politik për të qëndruar një kohë të gjatë dhe pa ndërprerë në pushtet nuk u shërben proceseve demokratike në asnjë shoqëri dhe është jo e shëndetshme për vetë subjektin politik që ndjek dhe zbaton këto praktika.

(17.10.2017)