Zgjidhja e krizës pa Ivanov

Komisioneri Europian i Politikave të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn në përpjekje të zgjidhjes së krizës në Maqedoni, ka zhvilluar takime me liderët kryesor politik ndërkohë takimi me protagonistin kryesor të kësaj krize, Presidentin Ivanov nuk u zhvillua. Përveç arsyes se kthehet vonë nga Hungaria, zyra e Ivanovit tha se presidenti ia ka bërë të qartë qëndrimin e tij komisionerit Hahn në takimin e fundit që patën më 10 shkurt, e ai qëndrim mbetet i pandryshuar.

Por komisioneri Hahn ka vazhduar takimet me liderwt politik përkundër faktit se ishte në dijeni për qëndrimet e tij. BDI, Lëvizja BESA dhe Aleanca shqiptare përfunduan takimet me komisionerin e zgjerimit dhe mesazhi ishte i qartë si për partitë shqiptare ashtu edhe VMRO-DPMNE-n dhe LSDM-n, si palë përgjegjëse për zgjidhjen e krizës: t’i përafrojnë qëndrimet e tyre dhe Maqedonia të formojë sa më shpejt institucionet e reja.

“Ne vlerësojmë se ka faktorë që dëshirojnë që këtë krizë  institucionale ta thellojnë dhe ta shndërrojnë në krizë intraetnike. Përkrahja e eurodeputetëve është e një rëndësi të veçantë”, tha Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami pas takimit me komesionerin Johanes Hahn  ndërsa Kryetari I BDI Ali Ahmeti I pyetur nëse I është kërkuar të heqin dorë nga Platforma Shqiptarëve ai tha se “nëse dikush dëshiron të tërhiqem nga ajo deklaratë atëherë kërkon tërheqje nga Marrëveshja e Ohrit. Kjo deklaratë po keqpërdoret për qëllime politike,” tha Ahmeti.

Dhe derisa Komisioneri Hahn vazhdon përpjekjet për pëarfrimin e qëndrimeve politike dhe zgjidhjen e krizës në Maqedoni, deputeti i Gruevskit, Ilija Dimovski ka kërcënuar duke e bërë të qartë se në rast të krimit të qeverisë së Maqedonisë pa VMRO-DPMNE-n, do të ketë pasoja politike.

Komisioneri europian i Politikave të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn gjatë takimeve që zhvilloi në Shkup ishte i shoqëruar nga eurodeputetët Eduard Kukan, Knut Fleckenstein dhe Ivo Vajgl.