Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se problemi që ka ardhur deri të kriza politike ndërmjet pozitës dhe opozitës është krijuar jashtë Kuvendit të Kosovës.
Ai në një intervistë për “KosovaPress” ka thënë se zgjidhja politike nuk mund të bëhet me debate në Kuvend. “Kam thënë disa herë dhe miqësisht kryetarit të tashëm të Kuvendit, se problemi është krijuar jashtë Kuvendit, problemi është krijuar nga Qeveria dhe koalicioni qeverisës. Ata kanë përgjegjësi ta gjejnë zgjidhjen politike dhe zgjidhja politike nuk mund të bëhet me debate në Kuvend. Zgjedhja politike është dashur të bëhet jashtë Kuvendit, në mënyrë që Kuvendi të mos vije në këtë situatë. Tani Kuvendi është shndërruar në një arenë të luftës, figurativisht po them për shkak të gazit lotsjellës. Do të duhej që zgjedhja të ishte jashtë Kuvendit. Mendoj që ndoshta kryetari tani pak me vonesë është duke kërkuar, pasi që po i ikë seancës, hapjes së sesionit pranveror po i ikë. Ai po e kërkon zgjidhjen jashtë Kuvendit. Kryetari i Kuvendit i ka dy mundësi, ose ta ruajë Kuvendin nga ajo që ne kemi parë, ose të largohen nga Kuvendi nëse partia e tij e cila është partia më e madhe parlamentare, dhe partia që është në koalicion nuk e gjejnë një zgjidhje tjetër. Por Kuvendi nuk është dashur të vijë në këtë situatë dhe nuk do ta bija kurrë në këtë situatë. Absolutisht jo. Do ta kërkoja zgjedhjen politike, e pastaj vazhdimin e punës në Kuvend”, ka thënë Krasniqi.