Lideri i Lëvizja për Reforma në PDSH , Ziadin Sela, në një bisedë për Portalb.mk thotë se Aleanca për Shqiptarët e cila përbëhet nga dy partitë e tjera opozitare jashtëparlamentare LR-PDSH si dhe Rilindja Demokratike Shqiptare është opozita serioze shqiptare për momentin, me pretendim që në zgjedhjet e radhës të fitojë të njëjtat dhe denjësisht të përfaqësojë shqiptarët. Ai flet edhe për arsyet pse nuk ka bashkëpunim me Lëvizjen BESA.

“Aleanca për Shqiptarët është opozita serioze shqiptare për momentin, me pretendim që në zgjedhjet e radhës të fitojë të njëjtat dhe denjësisht të përfaqësojë shqiptarët.” thotë për Portalb.mk, Sela.

Portalb.mk: Supozojmë nesër ka zgjedhje, sa deputete do te mund ti fitoni?

“Në qoftë se nesër ka zgjedhje ne synojmë të marrim legjitimitetin, nuk flasim me numra deputetësh por për ne do të ishte e mjaftueshme të marrim një votë më tepër se oponentët tanë në mënyrë që këtë legjitimitet ta shfrytëzojmë për unifikim qëndrimesh në aspektin politik shqiptar në Maqedoni që do të rezultonte me përmirësimin e statusit juridiko-kushtetues dhe sjelljes e barazisë së plotë mes shqiptarëve dhe maqedonasve.” thotë për Portalb.mk, Sela.

Portalb.mk: Çfarë ju dallon nga PDSH (opozita me deputetë në Parlament) dhe si e vlerësoni rolin e kësaj partie ne mbrojtjen e interesave shqiptare?

“Në esencë ne si LR-PDSH jemi PDSH, ndërsa PDSH që ju i referoheni është një klan i interesave të ngushta të liderit të saj, dhe në qoftë se kemi parasysh këtë konstatim atëherë nuk bëhet fjalë për opozitarizëm dhe mbrojte të interesave shqiptarë port për politika që kanë për qëllim rritjen e biznesit të liderit të kësaj partie.” thotë për Portalb.mk, Sela.

Portalb.mk: A mendoni se një opozite e bashkuar mund të rrëzoje BDI-në nga pushteti?

“BDI do ta rrëzojë populli shqiptarë që janë opozitarët e vërtetë. Ne si parti, nuk kemi asnjë dilemë, nuk duam që këtë fitore ta mbajmë vetëm në duart e tona, jemi të gatshëm që këtë fitore ta ndajmë me sa më tepër shqiptarë që do të bëhen pjesë e ndryshimit të madh.
Është gabim teza që hidhet në opinion se vetëm opozita e bashkuar mund të fitojë BDI-në sepse kjo parti nuk është subjekt i pamposhtur që nuk mund të fitohet. Kanë qenë tjera rregulla në zgjedhjet e deritanishme kur dihet botërisht që lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi e ka mbajtur të gjallë BDI-në. Tanimë që kanë ndryshuar rrethanat BDI është para kapitullimit dhe ideja e bashkëpunimit opozitar që është hedhur në opinion gati një vit dhe që vazhdimisht po diskutohet ka vetëm një qëllim: ndoshta brenda këtij opozitarizmi ka subjekte të cilat nuk e kanë ndërmend të bëhen bashkë dhe qëllimi final është që të zhgënjehet qytetari i zakonshëm. Jo-rastësisht mbahet në opinion kaq gjatë nga mediat qeveritare kjo temë që ndoshta dikush, supozoj, brenda kësaj opozite bën çmos që kjo mos të ndodhë që të realizojë qëllimi final: zhgënjim të elektoratit që mos të dali të votojnë. Do të sqarohet situata dhe do të shihet kush janë opozitarët e vërtetë. BDI fitohet në të gjitha format, por bashkimi opozitar ka për qëllim që kjo fitore të ndahet me sa më tepër subjekte ashtu si që duhet ndarë edhe përgjegjësia në sa më tepër subjekte opozitare në mënyrë që mos të dëmtohet procesi.“ thotë për Portalb.mk, Sela.

Portalb.mk: Pse pra ende nuk keni lidhur ndonjë lloj bashkëpunimi me “Lëvizjen Besa”?

“Kjo pyetje duhet ti drejtohet Lëvizjes Besa sepse realisht unë nuk e di pse nuk ka ndodhur kjo. Në momentin që thua PO pa asnjë dilemë, je gati për të bërë bashkëpunim me gjithë subjekte që i thonë vetes opozitare, nuk po veçoj asnjë. Unë disa herë jam drejtuar publikisht BESA-s, duke thënë ejani ta bëjmë bashkëpunimin dhe të mos merremi vetëm me deklarata boshe, mos themi “duhet të bëhet” por ejani ta bëjmë. Më pas le të përgjigjen ata që mundohen të gjejnë shkaqe për të mos pasur bashkëpunim. Kur dëshiron të kesh bashkëpunim këtë e bën, ndërsa kur nuk dëshiron mundohesh të gjesh shkaqe dhe arsyetime.“ thotë për Portalb.mk, Sela.

Portalb.mk: Po i kemi pyetur, nga “Lëvizja BESA” thonë që njeri nga përfaqësuesit e Aleancës pengon kategorikisht këtë bashkëpunim…
LEXO: Bilall Kasami: Lëvizja BESA do ta rrëzojë BDI-në nga pushteti

“Nuk kam dëgjuar ndonjë thirrje publike të tillë, z. Kasami ka bërë konstatime duke dashur që ti ik bashkëpunimit me Lëvizjen për Reforma, ai ka bërë një zgjidhje matematikore që për mua është e çuditshme dhe qesharake. Ai këtë e ka thënë duke dashur të akuzojë vazhdimisht. Është e çuditshme se si zhvillimet brenda RDK-së janë munduar të gjithë ti shfrytëzojnë për ta akuzuar Lëvizjen për Reforma dhe Selën. Nuk mund të kenë zgjidhje matematikore këto gjëra, të thuash se Vesel Memedi është kundër bashkëpunimit me BESA-n, Ziadin Sela ka bashkëpunim me Memedin dhe kështu që edhe Sela është kundër bashkëpunimit me BESA-n.

Por, në politikë 1 dhe 1 nuk bëjnë dy, nuk është ekuacion me një të panjohur. Politika është kompromis në esencë dhe ata të mos flasin për qëndrimet e personave të tjerë por le të flasin për qëndrimet e veta, ashtu si unë aspak nuk kam të drejtë të thirrem në qëndrimet e RDK-së. Zhvillimet atje janë zhvillime të brendshme dhe unë nuk kam të drejtë të përzihem në vendimet e tyre.
Unë dua që Lëvizja BESA të më suprizojë për të mirë e të mos merret me subjektet e tjera politike por me qëndrimet e veta ashtu si që ne preferojmë të merremi me qëndrimin tonë. Ne themi që jemi PO për bashkëpunim dhe nuk duam assesi që një ditë të na shterojë qëndrimi sepse këtë qëndrim e kemi mbi një vit dhe vazhdojmë ta mbajmë të njëjtin, por është tejet jo-korrekte që dikush të luajë me ndjenjat e shqiptarëve dhe të jep shpresë të rrejshme dhe në këtë situatë “të pa-situatë” të mundohet që vetëm duke mbajtur shpresën për bashkëpunim opozitar gjallë në opinion, të përfitojë politikisht sepse kjo është shumë e ulur.” thotë për Portalb.mk, Sela.