Nga Elmir Sejfullai
Më 17 Korrik 2020, pas zgjedhjeve parlamentare e kam botuar një shkrim me titullin “Ziadin ti fitove”. Sot kur e lexova sërish pash që edhe sot nuk do e kisha hequr asnjë shkronjë, pasi që vërtetë Ziadini prej 3 deputetëve dhe me një organizim realisht të ri arriti Aleancën për Shqiptarët ta ngris në 12 deputet. Edhe atëherë kishte zëra se për shkak të humbjes në njësinë 5 (pra në Strugë), ai nuk ka kredibilitet që ta udhëheq një parti e cila në të gjith zona të tjera kishte ngritje. Megjithatë, edhe atëherë, edhe sot, mendoj se qasja provincialiste vetëm i bën dëm zhvillimit të një shoqërie.
Mirëpo çka ndodhi?!
Si shumë udhëheqës të cilët hy vetja në qejf, ashtu edhe Ziadini filloi të humb rrugën në obor. Ai fillojë të ndikoj dukshëm në zgjedhjet e kuadrove partiak, edhe pse nuk ka kompetenca për ta bërë këtë. Ai shkatërojë edhe degë të fuqishme (siç është ajo e Bogovinës) edhe degë në ngritje (siç ishte ajo e Tetovës) dhe në shumë degë të tjera në nivel të shtetit ai me ndërhyrjet e tij ndikoj që rezultati në zgjedhjet e fundit lokale të përfundojnë me rezultat katastrofal me çka Aleanca për Shqiptarët nga 85 mijë vota të bjer në 50 mijë vota.
Të shkojmë me kronologji.
Pas humbjes në Strugë në zgjedhjet parlamentare ku Aleanca fitoj vetëm 1 deputet, nuk u bë asnjë ndryshim struktural dhe askush nuk mori përgjegjësi për humbjen e rëndë të kryetarit në vendin e vetë.
Kërçovës iu premtua: “Po që se nuk fitohen më shumë se 1 deputet në Zonën 5 zgjedhore deputeti i Strugës do të jep dorëheqje dhe do zëvendësohet me deputetin nga Kërçova, meqëllim që të ngritet influenca e ASH-së në Kërçovë”. Mirëpo ky premtim nuk u mbajtë, andaj në Kërçovë votat në zgjedhjet lokale ishin aq të pakta.
Në zgjedhjet e Kryetarit të Degës së Tetovës, ndërhyrja në procesin e zgjedhjeve nga ana e Ziadinit ishte katastrofale. Ai në vendin e kryetarit favorizoj (me ndërhyrje te kuvendarët) një kuadër të po sa ardhur, në vend të një themeluesi të ASH-së, me çks krijoj përçarje të thellë në strukturën edhe ashtu të brisht të degës së Tetovës, përçarje kjo e cila reflektoj në rezultatin mizerabël në zgjedhjet lokale.
Edhe pse Dega e Bogovinës ishte fituese e zgjedhjeve lokale dhe fituese e pakrahasueshme në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 ku dallimi në mes koalicionit ASH-AA dhe BDI-së ishte 2400 vota në favorë të ASH-së, Ziadini me veprim antistatutar vendosi që të mos përfill vendimin e Kuvendit të Degës së ASH-së Bogovinë dhe të kandidoj kandidatin e vetë. Dega e Bogovinës me vendim publikë njoftoj për ngrirje të aktiviteteve, ku si pasojë nga 2400 vota pozitive dallim në zgjedhjet parlamentare, në zgjedhjet lokale kandidati i Ziadinit humbi nga BDI-ja me një dallim prej 2800 votash. Me këtë veprim Ziadini jo vetëm që humbi zgjedhjet, por edhe shkatëroj një strukturë të fuqishme, fituese të ASH-së në Komunën e Bogovinës, votat e së cilës e bënë atë deputet.
Sot, kur Ziadini paralajmëron rikandidimin, ai sërisht shkel në dy raste statutin e partisë të cilën e ka udhëhequr. Fillimisht nga ana statutare nuk ka të drejtë të rikandidoj për shkak se i ka harxhuar 8 vite udhëheqje të përcaktuar në statut, ndërkaq të mos flasim për anën morale të mos rikandidimit për shkak të rënies së votave në zgjedhjet lokale. Pastaj, ai sërisht shkel statutin duke mos e shpallë rikandidimin e tij 3 muaj para kongresit siç është parashikuar në statut.
Për fund do kisha theksuar se Ziadini do rikandidohet në mënyrë antistatutare. Do fitoj mbështetjen e delegatëve në kongesë (pasi që nuk do ketë kundërkandidat). Do vazhdojë të jetë kryetar i Aleancës për Shqiptarët. Por nuk do jetë gjatë. Ai, ashtu si paraardhësi i tij nga LR-PDSH-ja në zgjedhjet e ardhëshme do pësoj keq dhe kështu do liroj skenën politike opozitare për një riorganizim më të shëndosh dhe më afatgjatë. Pa “lidera” të “papërsëritshëm”, por me kuadra të barabartë ku i pari do të dalë duke respektuar të dytin./fol.mk
Autori është aktor në teatrin Tetovës dhe zëdhënësi i parë i Lëvizjes për Reforma, sot Aleancës për Shqiptarët.