Këshilli i Komunës së Tetovës me vendim unanim shpalli 3 ditë zie me rastin e tragjedisë së djeshme që ndodhi në këtë qytet, ku gjatë një zjarri humbën jetën nëna me katër fëmijët e saj, njofton Portalb.mk.
Këshilli i Tetovës, gjithashtu ka vendosur që nga mjetet rezerve të Komunës, familjes Zilbehari t’i ndajë ndihmë financiare me vlerë prej 2 milionë denarëve.
Përpara mbledhjes fjalim kanë mbajtur komandanti i Zjarrfikësve, Ukë Aliti, i cili rrëfeu rastin e djeshëm tragjik, por edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, i cili ka shprehur ngushëllime për jetët e humbura.
Nga Komuna gjithashtu, dje njoftojnë se janë kujdesur për t’i strehuar familjet viktimë si dhe shprehin ngushëllime për humjen e të afërme të tyre.
“Komuna e Tetovës gjithashtu është kujdesur për të strehuar familjet, të cilat përveç familjarëve humbën edhe shtëpitë e tyre gjatë zjarrit. Komuna e Tetovës shpreh ngushëllim dhe keqardhje të thellë deri tek familjarët për humbjen e madhe, dhe ashtu si çdoherë deri më tani do të ndihmojë me të gjitha kapacitetet e nevojshme materiale dhe njerëzore banorët e goditur nga kjo tragjedi”, u tha në kumtesë për media.
Rasti tragjik ka ndodhur dje në orët e hershme të mëngjesit, në lagjen Kolltuk të Tetovës gjegjësisht në rrugën Goce Delçev nr.185, ka shpërthyer zjarr i cili ka kapluar 3 shtëpi. Njësia Territoriale kundër zjarrit menjëherë pas paraqitjes së rastit ka intervenuar në vendngjarje me 13 zjarrfikës shpëtimtarë dhe 4 automjete, me ç’rast është parandaluar përhapja e e zjarrit edhe në shtëpitë tjera përreth.
Si pasojë e zjarrit në njërën prej shtëpive kanë humbur jetën nëna dhe 4 fëmijët e saj, dhe është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material.
Sot pritet që të bëhet varrimi i anëtarëve të familjes që dje humbën jetën tragjikisht.