Zlatan Ibrahimovic mund të kthehet të veshë fanellën e Suedisë dhe këtë mund ta bëjë në fund të muajit, kur janë planifikuar dy ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës, kundër Gjeorgjisë dhe Kosovës, si dhe një ndeshje miqësore me Estoninë.

Ka pasur shumë lajme që Ibrahimovic do të kthehet te Suedia për Kampionatin Evropian që mbahet këtë verë.

“Bisedimet me Zlatanin vazhdojnë” – ka thënë zëdhënësi i federatës suedeze, Jakob Kakembo Andersson.

Ai ka shtuar se lista e Suedisë për ndeshjet e ardhshme do të shpallet në 16 mars, shkruan Footbolldirekt.

Ibra ka luajtur për Suedinë në 116 ndeshje dhe ka shënuar 62 gola, ndërsa nga ekipi kombëtar është pensionuar që nga Euro 2016.

Në nëntor kishte një takim në Milano, ku përzgjedhësi i Suedisë, Janne Andersson, kishte thënë se ishte i frytshëm edhe pse më parë e kishte kritikuar sulmuesin e Milanit.

Nëse Ibrahimovic do të tubohet, ai do të zbarkojë në stadiumin “Fadil Vokrri”, më 28 mars, ku Kosova e pret Suedinë, që është ndeshje hapëse për ne në këto kualifikime.

Kosova është në grup me Spanjën, Suedinë, Gjeorgjinë dhe Greqinë.