Zmbrapsje nga propozimi që pragu për kandidatët e pavarur në zgjedhjet lokale të jetë 2% nga lista e votuesve. Për kryeministri Zoran Zoran, reagimet e ekspertëve por edhe të partive më të vogla si dhe të pavarurve janë të pranueshme.

“Sepse vlerësuan se nuk është korrekte që partitë më të mëdha të përcaktojnë përqindjen ose pragun e numrit të domosdoshëm të nënshkrimeve për dorëzimin e listave të pavarura dhe pash se ka ambient dhe do të zvogëlohet nga 2 me shumë gjasa në 1% ose do të anulohet, si të vendosin deputetët, gjithsesi unë si politikan do ta mbështes”, tha Zaev.

Rekomandim i OSBE/ODIHR-së është që pragu të jetë 1% dhe Ministria e Drejtësisë e mbështet këtë, thotë për TV21 zëvendësministri i drejtësisë, Agim Nuhiu, por duke shtuar se vendimi final merret në Kuvend.

“Tani ne jemi në qëndrimin që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të zbatohen edhe në drejtim të pragut, megjithatë unë nuk dua të komentoj qëndrimet e partive politike, ka qëndrime që një vullnet i shprehur në iniciativa për lista të pavarura është e lehtë për tu arritur edhe me 2 ose 3%, por pavarësisht kësaj, standardet evropiane kërkojnë një trajtim ndryshe të kësaj çështjeje. (ngjitje) Po, është 1% dhe ne si Ministri e Drejtësisë po ashtu mbështesim rekomandimet e OSBE/ODIHR-së megjithatë deputetët janë ata të cilët duhet ta finalizojnë një gjë të tillë”, deklaroi Nuhiu.

Ish-anëtari i Komisionit të Zgjedhjeve, Enver Salihu, i cili tani drejton OJQ-në “Justice”, thotë se tashmë është vonë për ndryshime thelbësore në Kodin Zgjedhor. Rikujton se ndryshimet në prag të zgjedhjeve nuk janë praktikë e mirë. Ngritja e pragut në 2%, sipas tij, dëmton subjektet e pavarura që cilat janë vlerë e shtuar e demokracisë, andaj mendon se ky prag të zvogëlohet edhe më shumë.

“Besoj se koha vetëm se ka kaluar për ndryshime rrënjësore për kodin zgjedhor. Tanimë e dimë se të gjithë pajtohen vetëm për listat e hapura, edhe opinioni më i gjerë, edhe partitë politike, kurse për ndryshime të tjera është tepër vonë sepse zgjedhjet do të shpallen më 6 gusht, sipas kryetarit të Parlamentit dhe besoj që nuk duhet të ketë ndryshime tjera, dhe nuk duhet të ketë”, tha Enver Salihu nga Organizata joqeveritare “Justice”.

Edhe presidenti Stevo Pendarovski dje në brifing me gazetarë u shpreh se nuk është në rregull që ndryshimet e Kodit Zgjedhor të bëhen para mbajtjes së zgjedhjeve. Po ashtu ka vërejtje për pragun e kandidatëve të pavarur. Zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 17 tetor.