Jemi të hapur për bisedime me partitë shqiptare. Pa dallime. Jam i bindur se partitë shqiptare s’do të bashkëpunojnë me regjimin. Kështu u shpreh sot lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ku partia e tij kujtoi “të hënën e zezë”.

“Do ta mbrojmë vullnetin e qytetarëve. Qytetarët u deklaruan për jetë dhe ndryshime. Më 11 dhjetor fitoi koncepti i bashkimit kundër ndarjeve. Përgjegjësi kanë liderët, nëse liderët nuk respektojnë vullnetin e qytetarëve. Partitë obligohen për reforma. Ata që koalicionojnë me VMRO-DPMNE do të thotë se janë pro regjimit. Nuk ekziston ide e kantonizimit dhe federalizimit. Këto ide ekzistojnë vetëm në kokën ë Nikolla Gruevskit”, deklaroi Zaev.

Lideri i LSDM-së ka dënuar retorikën e urrejtjes kundër ambasadorëve dhe sektorit civil.

Ai më tutje është zotuar se do të propozojnë që pyetje të deputetëve të mbahen 1 herë në javë.

“Do të jemi pushtet transparent. Vota e qytetarit është obligim për ne”, theksoi ai.

Kujtojmë se nesër, 24 dhjetor mbushen katër vite nga e ashtuquajtura “e hëna e zezë”, kur deputetët e opozitës dhe gazetarët me dhunë u larguan nga salla e Kuvendit të Maqedonisë, me qëllim që deputetët e shumicës, gjegjësht të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së të sjellin Buxhetin për vitin 2013-të.