Zoran Zaev kryetari i Lsdm-së, pas dëshmisë së tij në prokuri për episodet e dhunës në parlamentin e Maqedonisë u shpreh se i ka falur agresorët e tij, por shteti nuk do i falë. Zaev gjithashtu shtoi se kanë qenë gjashtë deputetë të VMRO-DPMNE-së që mundësuan hyrjen e protestuesve të dhunshëm në parlament.

“Gjashtë deputetë të VMRO-DPMNE-së organizuan hyrjen e masës në Kuvend me plan dhe qëllim që të kryejnë vrasje”, ka qenë kjo deklarata e fortë e dhënë para prokurorit në Shkup nga kreu kreu i LSDM-së Zoran Zaev, i cili dëshmoi atë që ndodhi mbrëmjen e 27 prillit
“Kuvendi ka 5 hyrje, protestuesit u përpoqën të hyjnë nga të gjitha anët, por arritën të hyjnë vetëm nga hyrja kryesore e Kuvendit, për shkak se dy deputetë hapën dyert. Ndërkohë që në hyrjet tjera, dyert ishin të mbyllura dhe sigurimi i Kuvendit bëri punën e tij”, shtoi ai.
Më pas ai tha se i ka falur agresorët e tij që të nesërmen e sulmit por shteti nuk do i falë as ata që e organizuan dhe lejuan që një gjë e tillë të ndodhte.
Në Prokurori kanë dëshmuar dhe deputetët të cilët kanë qenë të pranishëm në kohën e sulmit ku më rëndë u lëndua lideri i “Aleanca për Shqiptarët”, Zijadin Sela. Krahas deputetëve, u sulmuan edhe gazetarët dhe kameramanët.
Ndërkohë që Sektori për Punë të Brendshme në Shkup ka ngritur padi penale ndaj 7 personave lidhur me incidentet që ndodhën më 27 prill të këtij viti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
SPB-Shkup në konsultim dhe bashkëpunim edhe me Prokurorinë Themelore Shkup edhe më tej po merr masa për identifikimin dhe dokumentimin e personave të tjerë pjesëmarrës në ngjarjet e 27 prillit.