Shkruan: Alisetar Ramadani

Zoran Zaev nuk ke ti çka flet për lojalitetin e shqiptarëve në tokat e tyre mijëvjeçare! Më parë tregoni ju lojalitet që Maqedonia t’i përket popullit autokton gjegjësisht shqiptarëve ashtu si që trajtohen popujt autokton kudo në shtetet e civilizuara.

Përveç asaj që ua përmendi deputeti Gjorçev, publikisht ju ftoj që oratorinë tuaj ta shndërroni në vepër, e ajo është: urdhëroni e pranoni amendamentet e opozitës shqiptare Besa dhe Aleanca të cilat në të njëjtën kohë janë edhe amendamente të diasporës shqiptare sepse ne i mbështesim plotësisht, që një herë e përgjithmonë të mbyllim kapitullin ndëretnik dhe të çojmë vendin përpara me ekonomi!
Nëse ata amendamente qenkan në kundërshtim me marrëveshjen e Prespës për të cilët flasin tellallët tuaj në bashkëqeverisje, por edhe disa eksponentë të partisë suaj, atëherë urdhëroni ofroni 30 deputet tuaj dhe nisni ndryshimin e kushtetutës së vendit, që të shohim në vepër “kujdesin” që paskeni për shqiptarët ju dhe vmro dpmne?! Që të shohim në vepër sa jeni ju dhe ata te vmro dpmne-së të gatshëm të pranoni shtetin si shtet i shqiptarëve dhe maqedonasve?
Kjo është zgjidhja më e padhembshme e mundshme për momentin për Maqedoninë.

Ndryshe me dashje apo pa dashje, ju dhe vmro dpmne e pranuat një të vërtetë të madhe se shqiptarët me dekada kanë qenë të diskriminuar, të keqtrajtuar, mjet për inskenime “armiqësore” për të mbajtur pushtetin ju dhe ata që ua kanë dhënë legjitimitetin e pa pasur nga shqiptarët! Më shkurt, popull me të cilin keni bërë eksperimente ashtu si keni dashur ju!

Ju dhe vmro dpmne me vetëdije ose jo, pranuat se ky shtet asnjëherë nuk ka funksionuar vërtetë si shtet, por si një vend ku drejtësia ka funksionuar sipas dëshirave të oligarkëve e jo sipas ligjit!

Ju me vetëdije ose jo e pranuat se keni qenë shumë të kujdesshëm kur keni sjellë ligje mono etnike sepse keni pasur shumicën parlamentare gjithmonë prej se u konstituua shteti në vitin 1991 dhe praktikisht keni bërë si keni dashur ju deri më sot, prandaj kjo përplasje e juaj me deputetin Gjorçev i nxjerr të gjitha këto në pah!

Hipokrizia juaj vihet re te ndryshimi i preambulës, ju nuk doni që shteti të quhet qytetar por doni që shteti të jetë i maqedonasve dhe…!

Të gjitha këto që i përmenda më lartë ua ka mundësuar puna juaj perfide mono etnike ndër vite, sepse asnjëherë nuk keni marrë guximin të organizoni regjistrim të popullsisë ashtu si duhet, ashtu si kërkojnë normat civilizuese Evropiane, dhe pastaj të organizoni zgjedhje të drejta me standarde Evropiane!

Na kurseni nga oratoria e shteti të barabartë qytetarë sepse ne jetojmë në aso shtete dhe bile edhe si të huaj nuk jemi të diskriminuar si që janë familjarët tanë atje në vendlindje. Ne mund të ju japim ligjërata si duket një shtet qytetar i barabartë për të gjithë qytetarët e saj!

Në këso rrethanash si funksionon ai vend, ne nuk ju besojmë më, ai vend duhet të ndryshon si duam edhe ne ose duhet të vihet nën protektorat ndërkombëtar Gjermano – Amerikan.