Shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të harrojnë se Zaevi, të cilin e ndihmuan ta rrëzojë regjimin kriminel DPMNE-BDI dhe të bëhet kryeministër, në zgjedhjet vendore mbajti anën e një partie shqiptare – atë të BDI-së. Edhe atë vetëm që t’i përçarë dhe që t’i shantazhojë shqiptarët, vetëm që t’i detyrojë ata të votojnë për kandidatët e tij me emblemën e BDI-së dhe t’u tregojë atyre se shteri u takon vetëm atyre që janë me pushtetin!

Shqiptarët e Maqedonisë duhet të mos harrojnë kurrë as të vërtetën se BDI-ja, të cilës aq i besuan, përfundoi si degë e partive maqedonase dhe sot është duke shëtitur nga prehri i ‘mijallkovëve’ te ai i ‘verushevskave’. Me çka, kjo parti, u bë simboli i dështimit dhe i së keqes shqiptare dhe doli se kishte pasur vetëm një mision politik: t’u dëshmojë shqiptarëve të Maqedonisë se kot e kanë që i besojnë vetvetes, se forca e çdo gjëje shqiptare në këtë shtet, buron nga vullneti dhe dëshira e qarqeve politike e policore maqedonase.

Po, shqiptarët e Maqedonisë kurrë më nuk duhet të bien pre e lojërave politike, të ngjashme me konceptin ‘qytetarë’ të Zaevit, e që në thelb kanë për qëllim asgjësimin e indit politik shqiptarë dhe kolonizimin politik të shqiptarëve të Maqedonisë. E që më së miri e dëshmoi Zaevi, i cili i përdori shqiptarët për ta arritur qëllimin e vet, e që pastaj, të ngutet t’i përçajë dhe politikisht t’i asgjësojë ata.

Po pra, heroi i turpit politik i shqiptarëve të Maqedonisë, Zaevi është duke na ndarë në shqiptarë të tij dhe të VMRO-DPMNE-së. Me çka, si dikur në socializëm, e kur komitete komuniste na diferenconin në shqiptarë të ‘ndershëm’ e të ‘pandershëm’, edhe Zaevi i sotëm, i ndihmuar nga drejtuesit e BDI-së, bënë çmos të na ndajë në shqiptarë të mirë që e përkrahin atë dhe në të këqijtë, që i mbështesin partitë opozitare shqiptare. Me çka shihet qartë se të gjithëve na ka barazuar me kandidatët e tij që mbulohen me emblemën e BDI-së, si dhe me drejtuesit e kësaj partie dhe mendon se të gjithë sa jemi, vdesim për një puthje të tij, në faqen e pafytyrësisë sonë!

Si do qoftë, vjen 29 tetori kur shqiptarët e Maqedonisë – e posaçërisht tetovarët, të cilëve u ka rënë në hise të mbrojnë nderin e shqiptarëve të këtushëm – duke votuar për kandidatët e Aleancës me Besë, do i dëshmojë Zaevit se jo të gjithë shqiptarët janë si drejtuesit degës së tij shqiptare – të BDI-së. Dhe do i dëshmojnë se ai gabon rëndë kur beson se shqiptarët shpejtë harrojnë dhe se u ka dal mendsh që ai vet deri dje i quante kriminel drejtuesit BDI-së. E të cilët sot i ka shpallur vëllezër të një gjaku politik. Me çka sa nuk u thotë shqiptarëve: unë, e jo ju, i caktojë kriminelët dhe heronjtë tuaj, unë, e jo ju, e di se cilët janë shqiptarë të mirë, e cilët të këqij, unë, e jo ju, e di se cilët janë përfaqësues të denjë tuja, se unë, e jo ju….!

Po, Zaevi duke shëtitur nëpër vendbanimet tona si hero i porsalindur shqiptar, na çoi shumë porosi të tërthorta. Tani mbetet të presim përgjigjen që do ia japim ne shqiptarët. Le të shpresojmë se me 29 tetor, duke mos i votuar kandidatët e Zaevit me emblemën e BDI-së, shqiptarët e Maqedonisë atij do ia përcjellin porosinë e qartë: se ne jemi si gjithë popujt tjerë dhe kemi sa të duash bërllok, por ai gabon rëndë nëse beson se aq lehtë do lejojmë të na mbulojë, e të na sundojë bërlloku! E nëse ndodh të mos ia përcjellim këtë porosi, atëherë do del se për çdo gjë ka pasur të drejtë Zaevi, si dhe shërbëtoret e tij shqiptarë, me në krye drejtuesit e BDI-së./Almakos