Zv/kryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit (MO), Festim Halili, në një intervistë për Alsat thotë se brenda një muaji, 800 të punësuar në administratën shtetërore do të sistemohen në vendet e tyre të punës. Ai nuk komentoi pyetjet se pse ky vendim është marrë në periudhë parazgjedhore por thotë se në këtë mënyrë do të rritet përfaqësimi i shqiptarëve në institucione. Halili pranon se subjekti politik nga ai vjen, BDI-ja, mund të kishte bërë më shumë në zbatimin e kësaj marrëveshje për këto 15 vite, por zotohet se kjo do të bëhet në të ardhmen, sepse, sipas tij, nuk ka alternativë tjetër.

1.Keni deklaruar në vazhdimësi së Marrëveshja e Ohrit është Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë? A është kjo vetëm “një frazë”, me që zbatimi i MO nuk mund të konsiderohet i përfunduar?

Them që kjo marrëveshje është pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë pasi që tani shumë shtylla që dalin nga kjo marrëveshje janë pjesë e vetë aktit më të lartë juridik në vend dhe është një fakt i pamohueshëm që kjo marrëveshje ka rrugëtuar përgjatë këtyre viteve mirëpo është edhe nevojë që të përmirësohet në raste të ndryshme atëherë kur e kërkojnë rrethanat dhe të shtohet kur kërkojnë vetë qytetarët e vendit tonë.

2.Keni deklaruar që do të sistemoni rreth 800 administratorë në institucionet shtetërore. Në cilat institucione do të sistemohen dhe pse këto deklaratë vinë pikërisht në një periudhëparazgjedhore? Pse nuk është bërë sistemimi i tyre më herët?

Ne kemi kaluar informatën për shpërndarje të këtyre të punësuarve në Komisionin për resurse njerëzore, në Komisionin për sistem ekonomik dhe së fundmi e kemi kaluar informatën edhe në mbledhje të qeverisë. Tani më të gjithë institucionet janë të obliguara që t’i pranojnë këto nëpunës administrativ. Do të jenë dy kritere bazë për sistemim të këtyre të punësuarve. Kriteri i parë do të jetë që ata institucione ku përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve dhe i bashkësive të tjera etnike është më i ulët që të plotësohet me nëpunës dhe kriteri i dytë do të jetë që ata institucione të cilat kanë nevojë për përforcim të administratës së tyre që të mund t’i pranojnë këto kuadro dhe ky proces është si një kërkesë e nevojave dhe si një kërkesë e reformave në suaza ta ligjeve evropiane për një administratë efektive. Me qëllim që të jemi sa më efektiv dhe ky proces të jetë më i sigurt ne së bashkë me ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe ministrinë e Financave, kemi pasur disa takime me qëllim që ky proces të vazhdojë dhe të zbatohet tërësisht. Dhe me vendim të Qeverisë kemi bërë që afër 800 të punësuar brenda një muaji të gjithë të sistemohen dhe vetë institucionet janë të obliguara që t’i pranojnë këto nëpunës në suaza të planit të sistematizimi të cilin e kanë bërë për institucionet e tyre gjegjëse.

3.Parlamenti me shumicë votash, duke përfshirë këtu edhe votat e deputetëve shqiptarë, vazhdon të miratojë ligje të reja ku nuk parashikohet përdorimi i gjuhës shqipe. Pse ndodh kjo?

Por ka institucione që neglizhojnë dhe bëjnë tentativa që përdorimi i gjuhëve të mos zbatohet në tërësi duke i ikur përgjegjësisë mirëpo ne ndjekim me kujdes situatën, kemi bërë grupe punuese të cilat vëzhgojnë institucionet e ndryshme dhe shohin se në cilin nivel përdoren gjuhët e bashkësive të ndryshme por patjetër e kam të theksoj se edhe faktori politik i plas tjetër, ka dallime rreth interpretimit të përdorimit të gjuhëve. Sigurisht që ne përdorimin e gjuhëve e kërkojmë që të jetë në nivel shtetëror kurse ata duan që ta mbajnë në nivel të pushtetit lokal aty në ato komuna ku bashkësitë etnike janë të përfaqësuara mbi 20 % ndërsa ne konsiderojmë që konsiderojmë që duhet të përdoret në nivel shtetëror për bashkësitë etnike që janë mbi 20%.

4.Si do ta bindni partnerin tuaj të koalicioni të pranoj rekomandimet nga analiza për zbatimin e MO-së?

Nuk ka alternativa të tjera. Alternativë e vetme është jetësimi i plotë. Marrëveshja e Ohrit është nënshkruar nga të gjitha faktorët relevant politik në vend dhe garantues është edhe bashkësia ndërkombëtare prandaj ne edhe me bashkësinë ndërkombëtare do të jemi në kontakt të përafërt dhe do të njoftojmë për të gjitha lëvizjet dhe për të gjitha miratimet që do t’i bëjmë ose për ose për pikat në të cilat do të kemi vështirësi me qëllim që edhe ata që janë si garantues të kësaj marrëveshje te kyçen në jetësimin e plotë të saj.

5.Pesëmbëdhjetë vite pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, sa mendoni se është bërë nga subjekti juaj BDI, për zbatimin e kësaj marrëveshje?

Sigurisht që është mundur të bëhet akoma më shumë në qoftë se të gjithë aktorët politik do ta kishin me sinqeritet zbatimin në një kohë më të shkurtër. Mirëpo ne do të mundohemi që të jemi një katalizator dhe përshpejtues i zbatimit të plotë dhe jemi zotuar sepse kemi përgjegjësi morale dhe kombëtare që kjo marrëveshje të bëhet realitet sa më parë./alsat