Ka ndodhur kështu sepse brenda 14 ditëve të fundit janë infektuar rishtas 60 nga 100,000 njerëz me Covid-19
“Kufiri është tejkaluar – Zvicra tani është një vend me rrezik”. Ose “Zvicra duhet të fusë veten në karantinë”. Janë këta vetëm disa nga titujt që pasditen e sotme mund të lexohen gjithandej në mediat zvicerane, shkruan albinfo.ch

Numri i infeksioneve të reja me koronavirus po rritet. Të hënën, Zvicra arriti kufirin, sipas të cilës ajo i deklaron vendet dhe rajonet e tjera si zona me rrezik, shkruan srf.ch.

Ka ndodhur kështu sepse brenda 14 ditëve të fundit janë infektuar rishtas 60 nga 100,000 njerëz me Covid-19, përcjell albinfo.ch. “Rrjedhimisht, Zvicra tani do të duhej ta fuste veten në listën e karanënës – dhe ne të gjithë do të kalonim në karantinë”.

Sipas një llogaritjeje të bërë nga agjencia e lajmeve Keystone-SDA, bazuar në shifrat e Zyrës Federale të Statistikave mbi popullsinë e përgjithshme zvicerane dhe BAG mbi infeksionet e reja të koronavirusit, kjo shifër të hënën ishte 59.632 – pak më poshtë se kufiri i karantinës.

Ndërsa sipas llogaritjeve nga eksperti Erwin Heimgartner, i cili analizon në bazë ditore numrat e infeksioneve me koronavirus në nivel federal, Zvicra ka tejkaluar pragun e saj të rrezikut të dielën.

Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) ka konfirmuar si vijon: “Në fakt, incidenca e 14 ditëve të fundit për të gjithë Zvicrën për herë të parë ka arritur në 60 për 100.000 banorë”, transmeton albinfo.ch. Kështu ka deklaruar zëdhënësja, Katrin Holenstein për 20minuten.ch. Por, Zyra Federale nuk i është përgjigjur pyetjes nëse situata ende vlerësohet se është “nën kontroll”.

Nëse Zvicra nuk ka si të fusë veten në karantinë, atëherë mbetet mjaft reale mundësia që shtetet tjera ta shpallin Zvicrën shtet me rrezik, shkruajnë mediat e këtushme.