Ata që kanë shkuar ose do të shkojnë me pushime në Suedi, Kosovë, Serbi etj., sipas vendimit të marrë ditë më parë nga Këshilli Federal, pas kthimit në Zvicër duhet të futen në karantinë për 10 ditë. Kështu është të paktën “me letra”. Por efektiviteti i kësaj mase po rezulton i diskutueshëm, shkruan Agjencia e Lajmeve e Zvicrës, Keystone-SDA.

Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG), për zbatimin e kësaj mase mbështetet në vullnetin e mirë të qytetarëve, transmeton albinfo.ch. Por, a është e mjaftueshme për të parandaluar një valë të dytë?

Shkurt, masat federale për njerëzit që kthehen nga vendet me rrezikshmëri të infeksionit me koronavirus nuk janë të lehta për tu zbatuar, konstaton agjencia e lajmeve. Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik, ajo mund të mbështetet vetëm në vullnetin e mirë të qytetarëve dhe denoncimet e mundshme nga palët e treta.

Njerëzit që kthehen në Zvicër nga njëri prej 29 vendeve të listuara si problematike, doganat janë të autorizuara t’ua kujtojë detyrat e tyre, përcjell albinfo.ch. Kjo detyrë është: që ata të raportojnë tek autoritetet në kantonin e tyre brenda 48 orëve të ardhshme. Personat e ndaluar në këtë mënyrë duhet të sigurojnë vetëm në mënyrë verbale se do t’i përmbahen këtij detyrimi.