Kosova edhe zyrtarisht e ka fituar kodin telefonik +383.  Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) e ka botuarbuletinin e vet në të cilin ka sqaruar se Kosovës i është ndarë numri thirrës treshifror +383.

Marrëveshja për kodin telefonik është derivat i bisedimeve në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj serbe, proces ky i lehtësuar nga Brukseli zyrtar, transmeton Indeksonline.

Gjatë gjithë kohës delegacioni kosovar i kryesuar nga kryenegociatorja Edita Tahiri dhe delegacioni serb kanë dhënë deklarata kontradiktore për kodin.

Njoftimin për marrjen e kodit në mënyre zyrtare e ka dhënë vet Ministria për Dialog. Në një komunikate dërguar medieve bëhet me dije se për këtë çështje sot do të mbahet një konference për medie.

Njoftimi i plotë:

 Shteti i Kosovës sot u bë me kod telefonik 383

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njofton se sot shteti i Kosovës u bë me kod telefonik ndërkombëtarë 383 të cilën ITU ia alokoi edhe zyrtarisht.

Poashtu, bëjmë me dije opinionin se ITU në pajtim me marrëveshjen e telekomit ka publikuar kodin telefonik për Kosovën. Ky lajm përbën një të arritur historike për fushën e telekomit dhe fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

 Ministrja Tahiri dhe grupi punues: Kreshnik Gashi, koordinator profesional për telekomin dhe kryetar i bordit të ARKEP, Gazmir Raci, koordinator politik për telekomin dhe këshilltar i ministres Tahiri, Ilir Imeri, drejtor i departamentit për menaxhimin e frekuencave në ARKEP, Rexhë Gjonbalaj, kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj, drejt teknik i Telekomit të Kosovës dhe Zana Bejta nga IPKO, i urojnë të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë të arritur.

Ju njoftojmë se gjatë ditës do të ketë konferencë për media në lidhje me këtë çështje.