Bosnja e Hercegovina sot shënon 29 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka shpallur edhe zyrtarisht 11 korrikun Ditë Përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.
Në mbledhjen e Qeverisë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se shpallja e 11 korrikut si Ditë Përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë është veprim fisnik e i duhur në emër të Kosovës.
“Ky është veprim finsik e i duhur në emër të Kosovës, të universales tonë njerëzore, e të dëshirës sonë për drejtësi dhe paqe. Që të mos harrohet dhe të mos përsëritet më gjenocidi as në Bosnjë dhe Hercegovinë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë”, theksoi Kurti.
Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për të përkujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.
Kombet e Bashkuara (OKB) në maj të këtij viti ka miratuar rezolutën që përcakton 11 korrikun si Dita e përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, me mbështetjen dërrmuese të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Duke dënuar mohimin e gjenocidit të Srebrenicës, rezoluta denoncoi glorifikimin e krimeve kundër njerëzimit, gjenocidit dhe kriminelëve të luftës.
Miratimi i rezolutës u kundërshtua më së shumti nga Serbia dhe Rusia.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007. Beogradi zyrtar dhe autoritetet e entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, e mohojnë gjenocidin.
Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.
Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari.