Latif Arifi, njëri nga themeluesit e Aleancës për Shqiptarët dhe ndër mbështetësit më të afërt të Arben Taravarit ndër vite, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të këtij të fundit për të hyrë në zgjedhjet lokale me lista të përbashkëta me BDI-në.
Në një postim publik, Arifi shpreh zhgënjimin e thellë dhe e konsideron këtë veprim si shkelje të amanetit dhe devijim nga ideali për ndryshim që dikur e kishte bashkuar me Taravarin.
“Në një vit më parë, kur vendosi t’i bashkëngjitej thirrjes së shqiptarëve për ndryshim, si me shaka i thashë: ‘E ke në dorë të bëhesh Ali Ahmeti i shqiptarëve për 10 vitet e ardhshme, ose të përfundosh me turp si Ziadin Sela’”, shkruan Arifi.
Ai ka thënë më tej se pas një viti, Arben Taravari zgjodhi rrugën e tretë: “Të bëhet si Ziadini… por me ndihmën e Ali Ahmetit.”
Më tej në postim, Arifi kritikon faktin që Taravari kishte deklaruar publikisht se nuk do ta shkelte amanetin e të ndjerit të atit për të mos u bashkuar me BDI-në.
“Dhe ndërkohë që dikur betohej publikisht se nuk do ta shkelte amanetin e të ndjerit babë për të mos u bashkuar me BDI-në, sot amaneti u bë ‘listë e përbashkët’”, thuhet në postimin e tij.
Latif Arifi thekson se ata që i qëndruan afër Taravarit nuk do të kishin dashur kurrë ta shihnin në këtë gjendje:
“Gjynah… gjynah që, së paku ne që e njohëm dhe i qëndruam pas, kurrë nuk do të kishim dashur ta shihnim të katandisur kështu. Por sidoqoftë… zgjedhja është e tij. I urojmë shumë sukses, mbase do t’i duhet shumë.”
Në fund të reagimit të tij, Arifi jep një sqarim për një frazë të përdorur më herët, duke nënvizuar dallimin midis figurës së dikurshme të Ali Ahmetit dhe versionit aktual të tij.
“Kur thashë ‘Ali Ahmeti i shqiptarëve’, nuk e kisha fjalën për këtë të sotshmin, të korruptuar deri në fyt, mbi shpatullat e të cilit rëndojnë Soravia-t dhe bizneset e nipërve e mbesave. E kisha për Ali Ahmetin e luftës, atëherë kur shqiptarët ende kishin besim te ai”, shkruan ndër të tjera Latif Arifi.