Shkruan: Naser Pajaziti
Maqedonia e Veriut sot shënon 33 vjetorin e shtetëformësisë së saj.
Kur sheh kronologjinë e ngjarjeve nga janari i 1991 me miratimin e Deklaratës së Pavarësisë, që i parapriu Referendumit të 8 shtatorit të 1991, del se prej aty buron problemi i madh apo kanceri i çështjes shqiptare që u zhvillua në metastazën e këtij shteti.
Atëherë shtrohen edhe disa pyetje?
Pse në Deklaratën e janarit të 1991 nuk shprehej realiteti multietnik i Maqedonisë, por ajo përmbante karakteristika të theksuara nacionale maqedonase. Kjo platformë shtetëformuese nacionale maqedonase nuk plotësonte aspak aspiratat e popullit shqiptar në Maqedoni, gjë që do të shkaktojë kriza të kohëpaskohshme ndëretnike.
Faktori politik atëkohë nuk e pranonte Deklaratën, por pse ndodhi mashtrimi duke shitur mjegull se kjo Deklaratë është akt politik, dhe jo si akt kushtetues dhe juridik?
Neni 1 i Deklaratës shumë qartë përcaktonte karakterin e shtetit të ri si shtet nacional maqedonas, duke përjashtuar mundësinë e themelimit të një shteti multietnik, ku do të përfshiheshin shqiptarët dhe popujt tjerë që jetonin në Maqedoni.
Faktori politik shqiptar (Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore) atëkohë ishte totalisht i pafuqishëm apo rrëshqiti, duke u bërë pjesë e mashtrimit të madh?!
Sepse më pas doli qartë se që të gjitha aktet e miratuara juridike dhe kushtetuese kishin për bazë Deklaratën e Pavarësisë!
Në Qeverinë e parë postpluraliste të marsit të 1991, faktori politik shqiptar përfaqësohej vetëm me një ministër nga radhët e PPD-së, edhe ate sa për sy e faqe.
Kjo Qeveri ishte me mandat të shkurtër deri më korrik 1992, por që ishte nën diktaktin e presidentit Kiro Gligorov. Ajo ishte vendimtare për shumë çështje, sidomos të vulosjes së elementeve të shtetësisë si dhe për organizimin e referendumit për pavarësi.
Në referendumin për Maqedoni të pavarur që sipas statistikave shtetërore ishin pro 95% e qytetarëve, doli se të gjithë kishin votuar për një shtet të pavarur, por që pak muaj më vonë lind një Referendum paralel i iniciuar nga shqiptarët, për shkak të pakënaqësive apo mashtrimit të madh?
Pas përfundimit të referendumit të 8 shtatorit dhe aprovimit të Kushtetutës së vitit 1991, më 11 dhe 12 janar të 1992 u mbajt Referendumi me pyetjen “A jeni për Autonomi politiko-territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni” apo i njohur si Referendumi për Iliridën, e që u përkrah nga 92 për qind e shqiptarëve që dolën në votim (mbi 383 mijë votuan në referendum).
Ky organizim si kundërpërgjigje ndaj të gjitha vendimeve të njëanshme, mbeti vetëm në letër, sot e kësaj dite si një përpjekje e margjinalizuar formale!
Kjo është e vërteta e ditëve të para të shtetëformësisë së Maqedonisë dhe shqiptarët si pjesë e saj, pas shkëputjes nga ish-Jugosllavia!
Pra përhajr na qoftë kjo Maqedoni!