Sipas deklaratave të fundit të aktorëve politikë në vend, së shpejti mund të kemi informacion zyrtar nëse në gjysmën e parë të vitit 2024 do të kemi zgjedhje presidenciale dhe parlamentare në të njëjtën kohë apo nëse zgjedhjet do jenë ndaras. Ajo që vihet re gjithashtu është ndryshimi i retorikës së përfaqësuesve të partive politike.
Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski dje tha se partia e tij do të dalë me qëndrimin e saj për kohën dhe modelin e zgjedhjeve. “Lidhur me zgjedhjet, kohën dhe modelin, qoftë të ndara apo të përbashkëta, do të vendoset në një takim të përbashkët mes të gjitha partive politike pjesëmarrëse në këtë cikël zgjedhor. Partitë e ndryshme kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me obligimet ligjore lidhur me shpenzimet që rezultojnë, por besoj se kemi kohë të mjaftueshme përpara nesh për të rënë dakord për gjithçka që është e nevojshme që Maqedonia të vazhdojë rrugën e saj drejt ndërtimit të një niveli të jashtëzakonshëm të shoqërisë demokratike”, tha Kovaçevski. Ai ka theksuar se LSDM-ja si parti udhëheqëse në Koalicion do të dalë me qëndrimin e vet dhe do të harmonizohet me të gjithë dhe, siç tha, do të mund të shkojmë në zgjedhje në vitin 2024.
Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski përsëriti qëndrimin e partisë për organizimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në të njëjtën ditë. Ai bëri të ditur se VMRO-DPMNE dhe koalicioni së shpejti do t’i shpallin kandidatët në listat zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Ende nuk kemi përcaktuar zyrtarisht bartësit e listave zgjedhore, megjithëse jam paraqitur si mbajtës i mundshëm i listës së kandidatëve për deputetë në njësinë zgjedhore numër 1. Nga sot opinionido të njohë bartësit e njësive të mbetura zgjedhore. Jemi duke u përgatitur edhe për konventën për zgjedhjen e kandidatit për president pas së cilës do të qëndrojë VMRO-DPMNE dhe koalicioni”, tha Mickoski.
– Në BDI mbizotëron mendimi që zgjedhjet parlamentare të mbahen në të njëjtën kohë me zgjedhjet presidenciale. Partia ende nuk ka një qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje, por koordinimi bëhet në baza ditore dhe të gjitha opsionet janë të hapura, theksoi ministri i Jashtëm dhe zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmani. Osmani theksoi se për BDI-në, megjithatë, të dyja variantet janë të pranueshme. “Në BDI mbizotëron mendimi se për arsye logjistike, financiare dhe administrative, ndoshta duhet të shkojmë bashkë. Megjithatë, ende nuk ka një qëndrim të përcaktuar për shkak se organet e partisë nuk janë mbledhur zyrtarisht. Pres që ato takime të përfundojnë gjatë muajit, por mbizotëron mendimi se për tre muaj, dy cikle zgjedhore, do t’i kushtojnë shumë vendit. Jo vetëm financiarisht, por sistemi po paralizohet”, tha ai.
Sa i përket kandidatit për president, Osmani tha se BDI-ja ende nuk ka vendosur nëse do të del me kandidat të saj. Ai thekson se janë duke i shqyrtuar të dyja variantet dhe do të pozicionohen varësisht nëse do të ketë zgjedhje të përbashkëta. “Nëse zgjedhjet janë të përbashkëta, në fillim të janarit hyjmë në 100 ditët e fundit dhe pres që atëherë të kemi një kryeministër të propozuar nga BDI. Nëse është skenari tjetër, atëherë kushtet janë të ndryshme, por marrëveshja mbetet. Me gjithë respektin për Bitytyqin, megjithatë thamë se vullneti i shumicës së shqiptarëve duhet të pasqyrohet në institucione”, thotë Osmani.
Për opsionin e formimit të qeverisë së përqendrimit pas zgjedhjeve për të kryer ndryshimet kushtetuese, Osmani thotë se nuk është diskutuar, por tri marrëveshjet (Marrëveshja Kornizë, me Bullgarinë dhe Prespën) për BDI-në janë “vijat e kuqe”.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, mbrëmë ka përsëritur qëndrimin se partia e tij është pro mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në një termin. Ai paraprakisht tha se vendimi i fundit i kryesisë së partisë është që të vetëm të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
“Deri tani vendimi i fundit i kryesisë së partisë është që të shkojmë në zgjedhje në mënyrë të pavarur. Por, ky vendim duhet të kalojë edhe në kuvendin qendror që do të mbahet deri në fund të këtij viti, diku në dhjetor. Definitivisht, Aleanca për Shqiptarët nuk do të shkojë me BDI-në me lista të përbashkëta dhe këtë ia kam përsëritur Ahmetit në mbledhjen e fundit. Ne po përgatitemi për një paraqitje të pavarur dhe po mobilizojmë anëtarësinë. Ky është qëndrimi im dhe i kryesisë dhe nëse do të ndryshojë do të bëhet e qartë pas një seance të organit më të lartë të partisë”, tha Taravari.
Lidhja Demokratike e Pavle Trajanov beson se Parlamenti ka shumicën e deputetëve të cilët mund të marrin vendim për shpërbërjen e Parlamentit, gjë që do të krijojë kushte për mbajtjen e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në të njëjtën ditë. Nga data 13 mars 2024 fillojnë afatet kushtetuese dhe ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, ku partitë parlamentare që mund të formojnë shumicën për shpërndarjen e Parlamentit duhet të përcaktojnë kohën e zgjedhjeve.
“Pas raportit katastrofik të Komisionit Evropian dhe rrënimit të institucioneve qeveritare, dyzimit dhe kriminalizimit të shtetit, është fare e sigurt se Qeveria nuk ka legjitimitet të vazhdojë të qeverisë. Ekzistenca e mëtutjeshme e Qeverisë nën udhëheqjen e BDI-së kërcënon unitetin dhe interesat kombëtare të Maqedonisë”, thonë nga LD.
Partia e Pavle Trajanovit mirëpret njoftimin e Aleancës së Shqiptarëve se nuk dëshiron të vazhdojë të jetë “paterica e BDI-së” dhe i bashkohet vendosmërisë së partive opozitare për rrëzimin sa më të shpejtë të pushtetit aktual dhe organizimin e zgjedhjeve. “Doli që BDI dhe LSDM nuk janë as për BE e as për reforma, por me manipulimet për ndryshime kushtetuese po blinin kohë për të qeverisur”, thanë Lidhja Demoratike.