Vendosja e Kryqit në Kodrën e Diellit është inskenuar nga LSDM dhe BDI me qëllim defokusimin e opinionit nga shumë çështje të tjera në nivel lokal dhe qëndror. Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), të cilët thonë se nuk janë kundër simboleve fetare, por nuk do të lejojnë keqpërdorimin e tyre për të krijuar konflikte mes qytetarëve. I pyetur përse akuzon LSDM-në dhe BDI-në, ndërkohë që ai vetë është në pushtetin lokal, kryetari i Tetovës tha se vendosja e kundërligjshme e kryqit është mbështetur nga pushteti qendror.

“BDI-ja dhe LSDM-ja janë në pushtetin qendror, ai objekt gjigand nuk ka ardhur në automjete që nuk kanë mund të përcillen. Në Kodër të Diellit janë dy stacione të policisë, policia kufitare dhe policia e stacionit të përgjithshëm. Në Kodër të Diellit janë dy drejtori të udhëhequra nga BDI, domethënë Pyjet Nacionale dhe ELEM turs që është ndërmarrje shtetërore…Duke pasur parasysh që mediume pro BDI-së, pro qeverisë, kanë incizuar momentin e vendosjes së Kryqit, në vend që të paraqiten te pushteti lokal që të ndërmerr masa, në vend që policia të ndalojë instalimin e këtij objekti të jashtëligjshëm, ata janë pjesëmarrës në këtë vepër që është kundër ligjit”, deklaroi Bilall Kasami, Lidhja Evropiane për Ndryshim.

Lidhja Evropiane për Ndryshim i bën thirrje të gjitha institucioneve kompetente të ndërmarrin masa, ta heqin kryqin dhe të mos krijojnë tensione mes qytetarëve.

“I bëjmë thirrje Komisionit për marrëdhënie ndërfetare, Kishës ortodokse maqedonase, arkipeshvisë së Ohrit, gjegjësisht metropolisë së Tetovës që konform kompetencave të tyre të marrin masa dhe ta heqin vetë këtë kryq e të mos lejojnë që feja të shndërrohet në vegël për të krijuar tensione mes qytetarëve tanë. Njëkohësisht, i bëjmë thirrje inspektoratit shtetëror për ndërtim dhe urbanizëm si organ kompetent të veprojë sa më shpejtë në përputhje me detyrat e veta, ne e dijmë se ky institucion është nën udhëheqjen e BDI-së dhe nëse nuk veprojnë do t’i konsiderojmë partner të heshtur me partitë maqedonase, më parë me VMRO-DPMNE-në, tash me LSDM-në”, tha Bilall Kasami, Lidhja Evropiane për Ndryshim.

Nga Lidhja Evropiane për Ndryshim rikujtojnë se skenarë të tilla ka pasur edhe në të kaluarën dhe ndërtimi i objekteve të tilla të kultit, pa leje, pa plan dhe me imponim, gjithjë është kuptuar si provokim dhe ka shkaktuar skena të padëshirueshme. /Alsat.mk