Pas zjarrit të djeshëm në depon në Tetovë, do të bëhen analiza për nivelin e ndotjes së ujit dhe tokës përeth objektit, tha ministrja e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor Kaja Shukova. Ajo nënvizon se është evidente ndotja e ajrit, por në shtet nuk ka metodë të akredituar që mund ta matë avullimin e ndotësve organik.

“Sipas informatave të mia ishte një depo që kishte bojëra dhe llaqe, ato janë materie organike…Sistemi automatik monitorues i shtetit mat materiet avulluese joorganike, në këtë rast në shtet nuk ka metodë të akredituar që mund të matë avullimin e ndotësve organik. Ajo që e presim për momentin janë analizat e ujërave dhe tokës që do t’i bëjë Instituti I Shëndetit Publik”, deklaroi Kaja Shukova, Ministre e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Nga Instituti I Shëndetit Publik në Tetovë thonë se aktualisht po bëhen analizat e ujit, rezultatet e së cilave duhet të dalin të hënën.

“Ne si qendër e shëndetit publik Tetovë, marrim mostra nga ujësjellësi i ri në fshatin Falishë, besojmë se do të jetë gjithçka siç duhet dhe bëjmë analiza vetëm të ujit. Rekomandimi ynë ishte që pasi të përfundojë kjo, të merret dhe të analizohet edhe kualiteti i tokës rreth objektit…Të hënën do të jenë përfundimtaret, pra po bëhen analizat… Unë nuk kam informacion se në Maqedoni ka laboratori për analiza toksikologjike, nuk kam informacion të tillë”, tha Ratko Davitkovski ISHP.

Akoma nuk dihet nëse kompania ka pasur elaborate për mbrojtjen e mjedisit jetësorë. Nga Komuna e Tetovës thonë se kompania nuk ka pasur leje A të integruar dhe as hidrant për shuarjen e zjarrit.

“Sipas informatave që ka komuna e Tetovës kompania nuk ka leje A të integruar, nga ana tjetër informacioni më i rëndësishëm është se kompania e cila mbrëmë u përfshi nga flakët nuk ka pasur të instaluar as hidrant për shuarjen e zjarrit, që për këto objekte është detyrim ligjor. Mbetet që institucionet përkatëse të marrin hetime dhe masat e nevojshme”, deklaroi Besarta Ramadani, Komuna e Tetovës.

Nga Ministrja e Ekologjisë thanë se kompanitë e tilla nuk bien në sistemin e lejeve të integruara A dhe B, por nën kontrollin mbi bazën e elaboratit të dorëzuar për të cilën pajtueshmëri duhet të jep komuna. /Alsat.mk