Ka ndërruar jetë në një aksident në Maqedoninë e Veriut Eva Tavo, vajza e Vangjel Tavos, ish-deputetit dhe ish-ministrit të Shëndetësisë në Shqipëri, përcjell TV21. Lajmin e ka konfirmuar vetë Tavo në rrjetet sociale.

“Këto janë fjalët më të vështira që shkruaj në jetën time.
Vajza ime e madhe Eva u nda nga jeta në kulmin e rinisë, në moshën më të bukur, siç ishte edhe vetë ajo. Varrimi bëhet ditën e enjte, datë 30 nëntor, ora 11:00 në Jorgucat, Gjirokastër”, ka shkruar Vangjel Tavo.

Lajmin për TV21 e kanë konfirmuar edhe nga MPB. Aksidenti ka ndodhur në rajonin e fshatit Llaskarcë, në rrugën nga Tetova, për në Shkup.

“Me datë 28.11.2023, në ora 14:00 në SPB-Shkup është raportuar se në autostradën “Nënë Tereza” në drejtim nga Tetova për në Shkup, në rajonin e fshatit Llaskarcë, automjeti i pasagjerëve “Audi” me targa të Shqipërisë, që po drejtohej nga shtetasi shqiptar V. M. (40), ka dalë nga rruga. Nga plagët e marra në aksident, pasagjerja E.T.(24) nga Republika e Shqipërisë ka ndërruar jetë në vend, ndërsa mjeku i Emergjencave Mjekësore ka konstatuar vdekjen e saj. Ndërsa, i plagosur rëndë ka mbetur shoferi V.M.”, njoftojnë nga MPB për TV21.