Jemi ndër vendet më pjellore në Ballkan për kultivimin e disa pemëve dhe perimeve, kurse qytetarët tanë hanë prodhime të huaja. Kjo rrëmujë, edhe sivjet ka vënë në situatë të vështirë prodhuesit vendorë, të cilët ankohen që prodhimet e tyre u kalben nëpër magazina, kurse tregjet e gjelbra janë të mbushur me produkte e shteteve tjera, shkruan Alsat.
Nga Federata nacionale e fermerëve kërkojnë urgjentisht të ndërmerren masa nga shteti, për të vënë në rend të parë prodhimet vendore për tregun e brendshëm që të kenë një çmim blerës të qëndrueshëm nga tregtarët, dhe këta të fundit mos të sjellin prodhime të huaja me çmime enorme, të paktën në fatura, në dëm të konsumatorëve, por edhe të vet zinxhirit të tregut.
“Bujqit tanë zgjedhin a do të sheshin këtu me çmim më të ulët në Maqedoni prodhimet e tyre apo do ta dërgojnë për eksport jashtë shtetit. Mendoj se këtë vit pati ndikim të fuqishëm kërkesa nga jashtë. Duhet të rregullohet disi që të mbrojmë tregun e brendshëm që prodhimet vendore të jenë së pari për qytetarët tanë. Këtë duhet t’ju lejmë institucioneve me kotat dhe rregulloret sepse ne jemi shtet që kemi firmosur marrëveshjen ‘CEFTA’ dhe e gjithë kjo ndikon në prodhimtarinë tonë të brendshme”, tha Vaska Mojsovska, Kryetare e Federatës nacionale të fermerëve.
Nga kjo shoqatë e fermerëve kërkojnë që me ligj të unifikohet një kornizë ligjore për të gjitha prodhimet vendore, duke marr shembull propozim ligjin e verës, dhe vendimin për duhanin që të ketë paraprakisht marrëveshje mes prodhuesit dhe tregtarëve për sasinë e prodhuar të garantuar me çmim të volitshëm.
Qeveria së fundmi ka pranuar Draft-Ligjin e ri për verërat, pas propozimit të Ministrisë së Bujqësisë. Pritet që ky ligj, deri në fillim të sezonit tjetër të miratohet në Parlament, sipas legjislacionit evropian duke i përcaktuar paraprakisht çmimin blerës.
“Ky ligj i ri i propozuar për verërat është në anën e vreshtarëve dhe zgjidh një problem tjetër, që është çmimi i blerjes. Pra, me ligjin e ri për verën, për herë të parë do të përcaktohet çmimi i prodhimit të rrushit të verës për kilogram, jo ??më vonë se 15 korriku i vitit aktual, për të paktën dy nga varietetet më të zakonshme. Llogaritja e kostove për prodhimin e një kilogrami rrush për verë në një sipërfaqe të caktuar dhe me cilësi të përshtatshme, sipas një metodologjie të caktuar, synohet të kryhet nga një institucion i lartë arsimor ose shkencor në fushën e bujqësisë”, thonë nga Ministria e Bujqësisë.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, këtë vit eksporti i fruta perimeve vendore është rritur për 30% në krahasim me vitin paraprak, që nënkupton se bujqit vendorë zgjedhin ofertën më të shtrenjtë nga jashtë, por pa pasur një mekanizëm që kufizon sasinë e shitjes për të balancuar nevojat e brendshme në treg./ Alsat.mk