Tesla është duke punuar në një platformë induktive për karikimin e automjeteve elektrike, tha kreu i dizajnit të kompanisë, Franz von Holzhausen.

Këtë deklaratë, von Holzhausen e dha gjatë një bisede me Jay Leno-n në një video të këtij të fundit në YouTube, i cili po bënte një video-vlerësuese për modelin Cybertruck.

“Po, ne po punojmë për një platformë induktive të karikimit. Kështu nuk do të keni nevojë të futni kabllon në prizë për ta mbushur automjetin. Thjesht, futeni veturën në garazh, kaloni mbi platformë dhe vetura do të mbushet”, deklaroi kreu i dizajnit të Tesla-s.

Megjithatë, Von Holzhausen nuk dha detaje të tjera për këtë platformë pa tel për mbushjen e automjeteve.

Kjo nuk është hera e parë që Tesla dha indikacione për mundësinë e ofrimit të karikimit induktiv me valë për automjetet e saj elektrike.

Në eventin e aksionerëve në mars, Tesla publikoi një foto të një Model S që dukej se po karikohej me valë në një garazh.