Tensione, grushte tavolinës dhe ngritje zëri në seancën e Komisionit për zgjedhje dhe emërime për plotësimin e vendit bosh të anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Kryetarja e Komisionit propozoi që plenumit t’i përcillen të dy emrat e propozuar nga partitë politike, Abdush Demiri, i mbështetur nga koalicioni i opozitës shqiptare Lidhje Evropiane për Ndryshim dhe Zulfi Adili, i propozuar nga Partia Demokratike Evropiane e Arjanit Hoxhës.

Asnjëri nga deputetët e shumicës nuk e elaboroi se pse të dy emrat duhet të kalojnë në plenare. Opozita shqiptare vlerëson se filtrin në komision duhet ta kalojë vetëm Abdush Demiri, meqë Zulfi Adilin e cilësojnë si kandidat të shumicës. Me këtë, thonë ata, prishet balanci pozitë-opozitë në KSHZ.

“Pa pjesëmarrjen e plotë të opozitës shqiptare s’mund të ketë zgjedhje në këtë vend. Nuk mund të ketë zgjedhje. Në do të bëjmë çmos. Kemi edhe mekanizma edhe demokratik, edhe institucional, edhe fuqi politike që ta ndalojmë këtë proces sepse kryetari i parlamentit dhe partitë në pushtet mundohen në këtë mënyrë ta manipulojnë procesin. Çfarë bëjnë këta, i qojnë propozim një partie që sapo është formuar dhe ajo parti e propozon anëtarin e Aleancës për Shqiptarët që është pjesë e shumicës dhe duan që përbërja e KSHZ-së të jetë 5 me 2”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

“Si mund të sqarohet që një parti politike e sapoformuar të propozojë kandidat. Ja politikisht është ose jo i atyre, gjë që gjithsesi të gjithë e dinë se është i Aleancës për Shqiptarët, por është në kundërshtim me ligjin sepse nuk mund të ketë kandidat një parti politike e sapoformuar”, u shpreh Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

Opozita shqiptare ka edhe mbështetjen e partive të tjera opozitare parlamentare. Sipas VMRO-DPMNE-së, qëllimi është që KSHZ-ja të mbesë pa një anëtar për shkak se nëse nuk ka konsensus, asnjëri nga propozimet nuk do të mund të marrë 80 votat e nevojshme.

“Këtu shihet se qëllimi i pushtetit nuk është të zgjidhet anëtar por si të komplikohet çështja dhe të mos zgjidhet anëtar në KSHZ. BDI-së i përshtatet që të mos zgjidhet anëtar në KSHZ dhe kur të mos kenë anëtar në KSHZ partitë që janë në opozitë nuk do të kenë të drejtë as të kenë anëtar në këshillat zgjedhor dhe më këtë do të jenë të hendikepuar të marrin pjesë në vëzhgimin e procesit zgjedhor”, tha Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

“Është shumë e qartë që nëse një parti nga opozita kalon në pozitë e humb vendin në KSHZ dhe duhet ata parti që janë në opozitë të propozojnë kandidat. Raporti është shumë I qartë dhe definon se sa anëtar duhet të ketë KSHZ-ja nga opozita dhe sa nga pushteti”, shtoi Pavlle Trajanov, Lidhja Demokratike.

Kuvendi është dashur të nisë procedurën për të plotësuar pozitën boshe në KSHZ e shumta 30 ditë pas largimit të anëtarit të mëhershëm, e që në rastin konkret ishte Krenar Lloga nga Aleanca për Shqiptarët, i cili në muajin shkurt la postin në KSHZ për postin e ministrit. /Alsat.mk