VMRO-DPMNE-ja nuk sheh kushte të barabarta në garën mes pushtetit dhe opozitës për zgjedhjet e majit. Kreu i kësaj partie Hristijan Mickoski, nga Vevçani ku qëndroi për karnavalin tradicional, tha se pushteti blen votuesit me punësime dhe ndihma të vogla nga pakot për masat anti-krizë. Gjithashtu Mickoski përmendi disavantazhin e opozitës në përbërjen e KSHZ-së.

“Shihni mijëra punësime në prag të zgjedhjeve. Kemi më shumë se 1000 shpallje në administratën shtetërore. Përpiqen me blerje të vogël 1000-1500 denarë të cilat edhe ashtu paraprakisht i vodhën ose i morën duke i futur qytetarët në borxh. Zgjedhjet nuk janë fer që nga fillimi. E shihni se nuk e plotësojnë vendin bosh që i takon opozitës shqiptare në KSHZ. Procesi ka shumë mangësi që nga fillimi por duhet të durojmë këto tre muaj deri në fillimin e fushatës dhe më pas do të ketë përgjegjësi”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Kreu i opozitës maqedonase akoma nuk ka caktuar emrat me të cilat partia e tij do të përfaqësohet në qeverinë teknike. Kësaj partie, sipas ligjit për qeverinë, i takojnë ministri i Brendshëm dhe ministri për Punë dhe Politikë Sociale. Gjithashtu VMRO-së i takojnë dhe pozitat e tre zv/ministrave, në Administratë, Financa dhe Bujqësi. Për qeverinë teknike Mickoski duhet të bisedojë edhe në një takim të paralajmëruar me kryeministrin, për të cilin tani thotë se mund të bëhet edhe me telefon.

“Deri tani nuk kemi caktuar takim. Do të shohim në periudhën që vjen. Ajo mund të zgjidhet edhe me telefon. Nuk do të thotë se takimi gjithmonë duhet të jetë mjet për komunikim”, shtou Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Qeveria teknike duhet të votohet e shumta më 28 janar, 100 ditë para zgjedhjeve të 8 majit. VMRO-DPMNE-ja ka njoftuar se do të votojë e përmbajtur në Kuvend për shkak se e quan jolegjitime drejtimin e saj nga kuadër i BDI-së, në këtë rast, nga Talat Xhaferi.

Partitë politike nuk kanë publikuar akoma as emrat e kandidatëve të tyre në garën për President të shtetit, por thonë se këtë do ta bëjnë në muajin shkurt./Alsat.mk