Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit hapi procedurë para hetimore për rastin e 3 kompanive të naftës që u përpoqën të vjedhin para nga shteti përmes kthimit të TVSH me faturave fiktive. Nga ky organ i ndjekjes kuptojnë se kanë hapur lëndë para hetimi lidhur me dyshimet e bazuara në denoncimin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, për tri kompani dhe 5 furnitorë si dhe dyshimet me palë të tjera.
“Lidhur me çështjen e denoncuar nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, lënda është marrë në shqyrtim nga prokurori kompetent. Kemi hapur procedurë para hetime dhe jemi në fazën e mbledhjes së fakteve dhe dëshmive materiale për tri kompanitë tregtare të naftës dhe implikimet me palët tjera në këtë rast”, njoftojnë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike konstatuan se këto tri kompani janë përpjekur të vjedhin rreth 2,6 milion euro përmes kthimit të TVSH, me fatura fiktive kinse kanë realizuar shitje dhe blerje të derivateve të naftës. Këto kompani kanë shmangur edhe tatimin mbi të ardhurat personale në shumën mbi 300 mijë euro, si dhe se gjatë periudhës së kontrolluar nuk kanë pasur asnjë punonjës dhe pagë të paguar.
“Kemi vërtetuar që kemi 80 fatura të falsifikuara. Për shembull, në evidencën e kontabilistit të një furnizuesi është shënuar vetëm një faturë dalëse, vlera e së cilës është pothuajse 43 herë më e ulët se shuma e faturave hyrëse me shkrim të tatimpaguesit në rastin e tretë. Në shumicën e faturave janë keqpërdorur edhe logot, nënshkrimet dhe vulat e furnitorëve në shumicën e faturave”, thonë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.
Ky rast u bë i ditur për opinionin nga DAP-i vetëm pasi që çështjen e publikoi opozitarja VMRO DPMNE. Ndërkohë Prokuroria nuk reagoi 2 muaj të plotë, përkatësisht që nga 15 nëntori kur opozita maqedonase zbardhi skandalin. Policia Financiare po ashtu e njoftuar më 1 Dhjetor, tregon se po bashkëpunon me autoritetet, vetëm pas insistimit të mediave për rastin.
Se keqpërdorime të tilla janë të shumta në institucionet shtetërore të kapura nga partitë, tregojnë edhe reagimet plogështa të organeve të përndjekjes dhe akuzës, vlerëson analisti ekonomik Visar Ademi.
“DAP dhe M-NAV, të gjitha të tjerat janë me një nocion si nepotizmi dhe partizimi i institucioneve. Ka 40 vite që forcojmë partinë dhe dobësojmë institucionet. Te ne nuk është e pamundur të gjesh kryetarin e degës më të fuqishëm se ministrin. Me partizimi mbushen gjykatat dhe institucionet tjera me militant partiak që dobëson sundimin e ligjit dhe të së drejtës. Kjo tregon se disa individ janë mbi ligjin dhe bëjnë keqpërdorime duke mos bërë pagesa dhe evazion fiskal sepse i përkasin një partie që vetë e financojnë”, tha Visar Ademi, Ekspert Ekonomik.
Sipas dosjes së DAP, disa kontrolle janë kryer për 6 muaj me radhë për këto tri kompani, të cilat janë nga rajoni i Likovës dhe Kumanovës. Kompania e parë në hetim, pasi me fatura fiktive u përpoq të kthej TVSH ka ndërruar pronarin, duke u riemëruar një shtetas nga Kroacia. Kompania e dytë, ndërroi pronësinë në një shtetas të Kosovës. Kompania e tretë që kishte pronar fillestar të njëjtin me kompaninë e parë, pasi krijuan fatura fiktive për kthim të TVSH-së, ri emëruan pronarin me një shtetas tjetër të Kosovës. /Alsat.mk