Më 25 janar pritet të merr epilog tragjedia e Llaskarcës. Procesi gjyqësor i cili zgjat gati katër vite, javën që vjen do të sjell drejtësinë ose jo për 16 jetët e humbura nga tragjedia më 13 shkurt të vitit 2019. Durmish Beluli, Ramiz Miftari dhe Manoil Trifunovski do të ndajnë përgjegjësinë për aksidentin e autobusit “Durmo Turs”, ndërsa në epilog gjyqësor do të përfshihen edhe tre punonjës të kontrollit teknik.

Në fjalët përfundimtare më 12 dhjetor të vitit kaluar, prokurori i rastit Darko Jakimovski tha se të gjitha provat vërtetojnë se të akuzuarit nuk i kanë respektuar një sërë detyrimesh ligjore në komunikacion dhe kjo ka sjell deri tek tragjedia. Jakimovski ka kërkuar që kompanisë, përkatësisht të akuzuarve t’u ndalohet veprimtaria.

“Të akuzuarve nuk guxon t’u lejohet që në të ardhmen të merren me kësi punë. T’u shqiptohet ndalesë për kryerjen e profesionit dhe të mos lejoni asnjërin prej tyre që të ketë kontakt me komunikacioniN në çfarëdolloj aspekti”, tha Darko Jakimovski, Prokuror.

Procesi gjyqësor u zvarrit deri tani shkaku i pamundësisë për të marrë në pyetje ekspertët, të cilët Gjykata Penale arriti t’i siguron vetëm pas një viti. Mendimi i tyre profesional kishte konstatuar se shoferi i autobusit në një moment kishte frenuar, por frenat nuk kanë qenë plotësisht funksionale, përkatësisht frenat kanë pasur koeficient të frenimit prej më së paku 36% ndërsa minimumi ligjor është 45%. Super ekspertiza kishte konstatuar se shkaku i aksidentit është autobusi dhe defektet teknike në të, mendim profesional që u kundërshtua nga prokurori me arsyetimin se po tentohet shfajësimi i të akuzuarve. Në prill të vitit 2022 pikërisht mungesa e ekspertizë e shtyu seancën gjyqësore në afat të pacaktuar, duke rrezikuar edhe kthimin e saj nga fillimi.

Ditë më parë, Këshilli Gjyqësor duke vepruar mbi urgjencën e kreut të Gjykatës Penale, delegoi për afat të pacaktuar gjykatësen Aleksandra Ristevska të mbetet në Penale deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Zgjedhja e saj në Gjykatën e Apelit rrezikonte kthimin e procesit gjyqësor në fillim.

Aksidenti i Llaskarcës llogaritet një nga 5 tragjeditë më të mëdha në histori të vendit për nga numri i viktimave. Pavarësisht tragjedisë, kompania “Durmo Turs” vazhdon aktivitetet transportuese që nga dita e aksidentit e deri më sot. Pas shpalljes së vendimit, të lënduarit dhe familjet e viktimave kanë të drejtën e dëmshpërblimit nga kompania, autobusi i të cilës u aksidentua më 13 shkurt të vitit 2019 në Llaskarcë të Shkupit. /Alsat.mk