Ndonëse mediat erdhën në promovim, me idenë që do të përurohet segmenti prej dy kilometrash i autostradës së re Bllacë-Shkup, autoritetet kishin një plan tjetër. Promovimi e asfaltimit të rrugës së vjetër, kurse për rrugën e re thanë se është në fazë përfundimtare dhe do të përurohet pas dy muajve.
Fillimisht u nda në dy segmente, për 2 kilometrat e para kishe një afat prej 18 muajsh, por tanimë kaluan 48 muaj dhe akoma nuk po i shihet fundi. Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” thanë se afatet janë shtyrë, për rrethana të parashikuara gjatë zbatimit të projektit me ujërat nëntokësore dhe rrëshqitje të dheut.
“Kur flasim për problemin e këtyre 2 kilometrave, telashe të njëjta kemi pasur edhe për autostradën Kërçovë-Ohër, Rankovce-Kriva Pallankë dhe Gradsko-Prilep. Afatet janë shtyrë dhe kanë dal punë të reja që është dashur të lidhen edhe ankes-marrëveshje. Varet nga kushtet e motit, në fund të marsit apo në fillim të prillit do të lëshohen këto dy kilometra”, thonë nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore”.
Një pres konferencë e mbajtur tek rreth rrotullimi i rrugës Bllacë-Shkup nga Lëvizja Evropiane për Ndryshim, aktivistët dolën me pankarta në duar: “Boll ma!”, “Marre 2 kilometra 4 vite” dhe “2KM – 30 milion euro”. Nga LEN thanë se marrëveshja është firmosur më 16 Janar 2020 me fituesin e tenderit “Granit” dhe tani pas 4 viteve nga shuma fillestare prej 14,5 milionë eurove, kostoja përfundimtare ka arritur në 30 milionë.
“Pse u zvarrit kjo rrugë kaq shumë, apo është dëshirë e BDI-së që çdo cikël zgjedhor të promovohet me këtë rrugë? Pse dhe si u dyfishuan mjetet nga 14,5 në 30 milion euro? A do të jep përgjegjësi dikush! A po zvarritet qëllimisht përfundimi i këtij projekti për ti mbrojtur interesat e biznesit të kazinove të klanit eurovia-llotaria-soravija-BDI-ja. Por, kësaj keq qeverisje të vjedhjeve dhe të keqpërdorimeve po i vjen fundi. Edhe kjo rrugë ashtu si dhe shumë projekte tjera do të përfundojnë, por jo nga kjo qeveri. Ju tash më jeni në ikje që është gjëja më e mirë e shqiptarëve që po ju ndodh në këtë periudhë”, tha Fahri Iseni, Lëvizja Evropiane për Ndryshim.
Autostrada Shkup-Bllacë ndonëse e shkurtë vetëm 12 kilometra, u bë e famshme nga zvarritja prej dekadave për ndërtimin e saj. Segmenti i dytë prej 10 kilometrash që do të lidh vendkalimin kufitar me kryeqytetin akoma mbetet projekt në letër. Nga Ndërmarrja Publike Rrugët Shtetërore thonë se sivjet do të shpallin tenderin për kompaninë zbatuese dhe kompaninë mbikëqyrëse të projektit. Përgjigje identike kemi pasur në dy vitet e fundit. Parashikimet janë që një kilometër të kushtoj rreth 15 milion euro, ndër më të shtrenjtat në Evropë. Askush nga autoritetet nuk gjeti kurajo të thotë një datë të saktë se kur do të nisin punimet e segmentit të dytë të kësaj autostrade, edhe më i largët është përfundimi i saj./Alsat.mk