Spasovski: Grupi është marrë me vrasje dhe trafikim droge

Policia e Maqedonisë së Veriut e mbështetur nga Europoli dhe policinë e disa shteteve të tjera, në bashkëpunim me prokurorinë e vendit, ka arrestuar 7 nga 16 personat e një grupi kriminal. Në konferencë për mediat ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski potencoi se grupi në fjalë është marrë me trafikim të drogës dhe përfshirje në vrasje. Klan Maqedoni nga burime të saj mëson se të arrestuar janë anëtar të grupeve të ashtuquajtura të “Dyqanxhikut dhe të “Gërçecit”. Jozyrtarisht mësohet se të arrestuar janë Nexhati Iseni, Sevdail Aziri, Fadil Bajramovski, Oliver Petrov, Shuajb Sulejmanovski, Fati Sulejmanovski, Zulbear Idrizi, Shukri Asani dhe Ensar Iseni me nofkën “Lepri” i cili është vëllai i njërit nga të vrarët në Shisha Bar, në ngjarjen e cila ndodhi vitin e kaluar. Sipas ministrit Oliver Spasovski, bëhet fjalë për një grup ndaj të cilit është zhvilluar një hetim shumë mujor, dëshmitë e të cilit tregojnë se nga nëntori i vitit 2019 deri në mars të vitit 2021, në territorin e Maqedonisë, 47-vjeçari Sh.M. nga fshati Gërcec, së bashku me disa persona të tjerë kanë organizuar një grup kriminal që kryente vrasje dhe hakmarrje për shkak të favorizimit.

“Ata kishin plane kush dhe ku do të vritet. Ky grup ka vepruar në nivel ndërkombëtar dhe organizonte blerjen e kokainës nga Amerika e Jugut, të cilën drogë e transportonin në Evropë, ndërsa një pjesë në vend. Ata përdorën komunikim të koduar përmes aplikacionit SKY, i cili është praktikisht i pa gjurmueshëm”, ka deklaruar Oliver Spasovski.

Kreu i Policisë tha se grupi kriminel periudhën e fundit ka bërë dy ngarkesa të mëdha kokaine, njëra prej të cilave me një sasi prej 430 kg është transportuar në një port në Belgjikë. Sipas ministrit Spasovski, janë siguruar dëshmi se grupi i Sh.M. ka kryer vrasjen e një personi nga Bardovci, më pas vrasjen e një shtetasi shqiptar dhe më pas vrasjen e dyfishtë në Fushë TOphanë të Shkupit. Ai ka shtuar se në periudhën e ardhshme do të mblidhen prova edhe për vepra të tjera të kryera nga këta persona. Të arrestuarve iu gjetën shuma të mëdha parash, makina luksoze dhe sende të tjera me vlerë të cilat janë lëndë për konfiskim.

“Do të befasoheni me emrat që do të dëgjoni në periudhën e ardhshme, ka edhe nga MPB-ja, nga ministriatë, nga gjykatat dhe nga institucionet tjera”, tha Spasovski.

Spasovski ka shtuar se për personat e grupit kriminel që ndodhen jashtë shtetit janë lëshuar fletë arreste dhe do të ndërmerren masa koordinuese me Europolin për arrestimin e tyre./KlanMacedonia