Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit 5 personave të arrestuar në kuadër të aksionit në Gërçec. Ndaj një personi është caktuar masa e kujdesit si obligimi me paraqitje, ndërsa organet ligj zbatuese punojnë në sigurimin edhe të personave të tjerë të dyshuar për këtë rast.

“Ndaj pesë personave është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, ndërsa ndaj një personi është caktuar masa e kujdesit- obligimi me paraqitje dhe i është konfiskuar pasaporta. Paraburgim është caktuar edhe për 10 persona të cilët për momentin nuk janë të kapshëm për organet e ndjekjes penale”, thonë nga Gjykata Penale.

I dyshuari kryesor në cilësinë e krijuesit të grupit kriminal, Sheval Muaremi mësohet të jetë në arrati, ndërsa për lokacionin e tij të mundshëm nuk jepen informacione të paktën deri në këtë fazë të hetimi Ai dyshohet që bashkërisht me Orhan Bajramin i vrarë në Greqi verën e kaluar dhe Jeton Krivanjevën i vrarë në “Shisha Bar” në Shkup kanë krijuar grupin kriminal në të cilin janë bashkuar më shumë persona që mes tjerash kanë kryer vrasje dhe tentim vrasje. Sipas policisë, në vitin 2021 nga ky grup është vrarë Afrim Berisha dhe Burim Vardari, ndërsa në vitin 2020 është vrarë një shtetas i Shqipërisë. Grupi hetimor ka konstatuar se pas tentativës për vrasje ndaj Boris Mutkov-Fantom në vitin 2019 në Bardovcë qëndron grupi i krijuar nga Muaremi, Krivanjeva dhe Bajrami.

“Si rezultat i hetimit dhe dëshmive të siguruara, organizatori i grupit SH.M bashkërisht me anëtarët e grupit kanë bërë tentim vrasje ndaj një personi në fshatin Bardovcë, vrasje të një shtetasi të Shqipërisë trupi i të cilit u gjet më 15 maj 2020 në Matkë të Epërme dhe vrasjen e dyfishtë e cila ndodhi më 5 mars 2021 kur në Shkup mbetën të vrarë A.B dhe B.V”, njoftojnë nga MPB-ja.

Nga të dhënat e siguruara përmes data bazës së aplikacionit “SKY” kanë dalë emra të shumë bashkëpunëtorëve në cilësinë e të punësuarve nëpër institucionet shtetërore. Ministri i Brendshëm në largim, Oliver Spasovski tha se opinioni do të çuditet me disa emra të cilët do t’i nxjerr hetimi në të ardhmen.

“Është shumë i rëndësishme fakti se jemi pjesë e grupit “LIMIT” që punon ekskluzivisht me shfrytëzimin e të dhënave nga data baza e “SKY”, platformë të cilën neve nuk mundemi vetëm ta shfrytëzojmë. Këto hetime vazhdojnë edhe tutje dhe do të punohet ende. Ka shumë të dhëna dhe kemi vërtetuar se ka persona nga institucionet e shtetit që ishin bashkëpunëtor të grupit kriminal. Do të jeni dëshmitar të shumë zhvillimeve në të ardhmen, ndërsa ndonjëherë do të çuditeni edhe me emrat që do të dalin”, deklaroi Oliver Spasovski, Ministri i Brendshëm.

Grupi dyshohet të ketë kryer transport ndërkombëtar të drogës- kokainë edhe atë në dy raste me sasi të mëdha: e para 435 kilogram nga Brazili, përmes Belgjikës dhe ka arritur në Maqedoni të Veriut dhe e dyta nga Peru në Amsterdam dhe është futur në tregun vendas. Drogë është transportuar edhe nga Shqipëria. Gjatë bastisjes në disa lokacione është konfiskuar sasi e lëndëve narkotike, municion dhe armë, para dhe vetura luksoze. Prokuroria e krimit të organizuar dhe korrupsionit do t’i ndjek penalisht 16 persona për veprat penale “tregti më lëndë narkotike”, “vrasje” dhe “vrasje në tentativë”. /Alsat.mk