Shoqata e Gazetarëvetë Maqedonisë (SHGM) ka reaguar lidhur me siç thuhet “trajtimin favorizues të gazetarëve të huaj në Kuvend gjatë debatit për zgjedhjen e qeverisë së re”. “Pas denoncimeve në adresë të SHGM-së dhe raportimit të mediave, katër gazetarë janë privilegjuar nga shërbimet në kurriz të gazetarëve të mediave vendase. Sipas videos dhe raportimit të Portalit X, katër gazetarët e huaj janë vendosur të ulen në pjesën diplomatike të sallës plenare ndërsa më pas janë transportuar me automjete zyrtare të qeverisë”, thuhet në reagimin e SHGM-së drejtuar kryetarit të Kuvendit, Jovan Mitevski.

Në vendet e parapara në Kuvend për diplomatët e huaj dje ishin vendosur gazetarët Berat Buzhalla, Adriatik Kelmendi, Baton Haxhiu dhe Blendi Fevziu. Ky i fundit edhe kishte publikuar videon ku në të cilën ata publikisht shprehnin lëvdata për kryeministrin Teknik.

“Vlerësojmë se me veprime të tilla krijohet një precedent i cili mund të lë përshtypjen se dikush është i privilegjuar në kurriz të tjetrit në fushën gazetareske. Së paku, një trajtim i tillë nënçmon gazetarët e tjerë dhe krijon një perceptim se gazetarët e huaj ndikohen të raportojnë në favor dhe interes për partitë politike në kuvend, ndërsa trajtimi i pabarabartë i gazetarëve kontribuon në mungesën e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në reagimin e SHGM-së. /Alsat.mk