Partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE, në konventën partiake të 2 marsit në Shkup ka promovuar Gordana Siljanovska Davkovën për kandidate të saj për zgjedhjet presidenciale më 24 prill në Maqedoninë e Veriut.
Siljanovska-Davkova është deputete aktuale e VMRO DPMNE-së.
Ajo ishte kandidate për presidente e kësaj partie edhe në zgjedhjet e vitit 2019, por ishte mundur nga presidenti aktual, Stevo Pendarovski.
Në fjalimin e mbajtur para mbështetësve të saj Gordana Siljanovska-Davkova, tha se kësaj radhe do të jetë fituese e garës për kreun e shtetit dhe bëri thirrje për “unitet në arritjen e interesave kombëtare e shtetërore”.
“Mund të ndryshosh gjithçka, stilin, shumë gjëra, por asnjëherë atdheun. Jo rastësisht kemi lindur në Maqedoni [të Veriut], energjia buron nga këtu dhe prandaj duhet të vendosim lidhje sa më të forta me ata që u larguan, jo sepse donin, por sepse dikush nuk i donte si më të mirët. Vetëm kështu do të sigurojmë respekt kudo në botë. Na pret shumë punë dhe unë nga të gjithë ata që do të jenë bartës të ndonjë posti, u kërkoj atyre t’iu japin fund përçarjeve të tmerrshme mbi çdo bazë, kryesisht në baza partiake dhe politike”, tha Siljanovska-Davkova.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski kërkoi nga anëtarët e partisë, por edhe të gjithë qytetarët që të dalin në zgjedhjet presidenciale, por edhe në ato parlamentare për të “votuar për ndryshimin e madh”.
Ky ndryshim, sipas tij, arrihet nëse VMRO DPMNE-ja në zgjedhje arrin të marrë gjysmën e mandateve të deputetëve, apo 61 nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen në dy runde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.
“Këto janë zgjedhje për Maqedoninë [e Veriut]. Për një Maqedoni ku vlejnë ligjet, në të cilën nuk ka qytetarë të rendit të parë dhe të dytë. Shpresoj që qytetarët të bëjnë zgjedhjen e duhur… Më 8 maj e dimë që ky popull do të thotë mjaft, mjaft nga vjedhjet, mosekzistenca e një sistemi, mjaft nënvlerësimit”, ka deklaruar Mickoski.
Nga ana tjetër, LSDM-ja, të dielën më 3 mars, në konventën partiake do të miratojë kandidaturën për mandatin e dytë të presidentit aktual Stevo Pendarovski.
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) deri më tani nga 11 kandidatë për president, pesë prej tyre tashmë kanë mbledhur 10 mijë votat e nevojshme duke zyrtarizuar kështu kandidaturat e tyre për garën zgjedhore më 24 prill.
Në mesin e tyre janë edhe dy kandidatët shqiptarë, Bujar Osmani nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Arben Taravari nga Opozita e Bashkuar Shqiptare.
Të shtunën në mbrëmje, kandidati opozitës shqiptare, Arben Taravari është promovuar zyrtarisht në Gostivar në praninë e liderëve të katër partive që përbëjnë koalicionin “VLEN”.
Në konventë ishte i pranishëm edhe Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.