Shkruajn : Hasan Jashari dhe Sadik Bakiu
Jeta shkruan romane!
Cilët rrugë i marrin ndër këmbë udhëtarët në mëngjez? Rrugët më të mira dhe më të mbushura janë ata që të dërgojnë në zemër të qytetit, në vende të panjohura e me plot e plot të papritura.Udhëtimi ynë për në Shqipëri kishte për cak Gjirokastrën dhe krahasimin e qytetit të sotshëm me përshkrimin që i bën Ismail Kadare në veprën Kronikë në gur.
Njerëzit gjithmonë kanë udhëtuar. Ekziston një mit i debatueshëm se njerëzit e lashtë kanë qëndruar në një vend, duke mos u larguar kurrë nga vendëlindja. Gjithnjë e më shumë, historianët dhe arkeologët zbulojnë se brezat e mëparshëm udhëtuan larg dhe për asnjë arsye tjetër përveçse ata kërkonin, resurse dhe kualitete të reja të jetës. Në kohën e revolucionit të Neolitit njerëzit u vendosën në një vend dhe filluan të jetojnë aty, të nguliten dhe t’i dalin zot tokës , për herë të parë, shtëpija fitoi një kuptim të plotë… Kështu vendëlindja mori kuptim, u bë thesar, u bë si diçka e shenjtë.
Dihet se rrugëve u japin kuptim dhe gjallëri njerëzit që kalojnë aty, e që kanë në vehte një cak, e që bëjnë përgaditjet e tyre për nisje ; cilën anë do të kapim, ku do të ndalemi për kafe, ku për drekë , ku do të flejmë gjatë rrugës? Qëllimi ynë, caku i udhtimit ishte Qyteti i Gurt. Çdo qytet ka pasur njerëzit, shtresat sociale, karakteret e kohës që me shekuj kanë lanë gjurma me sjelljen, pamjen, punën e tyre dhe raportin social me rrethin shoqëror. Ne duam vetë të shijojmë mëshehtësitë e kësaj bote të gurt.
Jemi nisur heret në mengjez, koha është me diell dhe ende jemi me veshje vere. Dita është 13 tetor, 2023. Vetura e fuqishme, me Sadikun shofer, kalon me lehtësi Gostivarin, rrugën e bukur nëpër pyjet e Mavrovës, Kërçovën, Strugën dhe arijmë në Qafthanë. Atje ka ndryshuar çdo gjë; ka një kontroll në kufi, ka më pak vetura. Pastaj mbërrijmë në Prenjas. Më kujtohet Prenjësi i qershorit 1991; njerëzit e dëshpëruar dhe të varfur në rrugë, qyteti i zymtë dhe njoha vetëm shkollën e madhe rreth rrugës që ka strukturën e njejtë, por, tani e lyer dhe e mbajtur mirë
Ne i mësyejmë Elbasanit pastaj Belshit.
Udhëtimet dhe rrugët i kanë përshkruar dhe i kanë shijuar më së miri Marco Polo dhe Evla Çelebiu. Evla ka shkruar Seyahatnamesi e tij per karvanet me kuaj e deve, rrugët e vjetra, kthesat, hanet e buajtjes, sokaqet, urat, pazaret. Aty ka pasë edhe histori dhe ngjarje të ndërlikuara të dashurisë dhe zanatit më të vjetër në botë si që thotë shkrimtari dhe filozofi Ismail Kadare. Më interesante janë përshkrimet e tij për rrugët me baltë, pluhur dhe lavirinte.
Shënimet e Evla Çelebiut
Çelebiu nga historianët duket se merret si udhëpërshkruesi më vëllimorë për sa i përket shënimeve mbi trojet e shqiptarëve gjatë sundimit të Perandoris Osmane.
Evlia Çelebiu vizitoi Shqipërinë tri herë. Shumica e shënimeve të tij i përkasin udhëtimit të vitit 1670. Duke ardhur përmes Korfuzit, ai udhëtoi në Gjirokastër përmes Delvinës, e më pas në Tepelenë, Skrapar, Përmet, Berat, Kaninë, Vlorë, Bashtovë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, dhe Pogradec.
Fragmenti për Gjirokastrën, që pason, është nxjerrë nga Libri i Udhëtimeve, i vitit 1670.
“…Qyteti i hapur është vendosur mbi 8 kodra dhe luginat nga të gjitha anët e kalasë, me shtëpi shumëkatëshe, me çati prej guri dhe të rrethuara nga kopshte dhe hardhi. Secila nga këto shtëpi të ndërtuara mirë ka një kullë. Muret rrethuese të oborreve janë të ndërtuara me një lloj graniti të bardhë, punuar nga mjeshtra gurëgdhendës, sikur të ishin tulla Ankaraje prej balte. Mure të tilla kanë si të pasurit ashtu edhe të varfrit. Gurë të prerë në formë katrore nuk gjenden veçse në qytetet e Tirit dhe Manisës në Anadoll… Mënyra e ndërtimit të mureve të jashtme të shtëpive nuk ka shoqe në botë. Ato janë të gjitha 20 inç të larta, të bëra me blloqe guri ranor të kuq, thjesht të vendosura gur mbi gur, pa baltë, gëlqere apo llaç për t’i lidhur. Muret dhe shtëpitë janë qindravjeçare që nga koha e të pafeve. Qyteti ka një klimë shumë të mirë dhe për këtë arsye, banorët kanë fizik të shëndetshëm… Gjirokastritët mbajnë zi për të afërmit e vdekur për 40-50 apo edhe 80 vjet… për këtë arsye unë e quajta Gjirokastrën “qyteti i vajtimit”. Është çudi e madhe se si vajtojcat profesioniste vajtojnë me kaq ndjenjë…” https://www.gjirokastra.org/albanian/al
Motivimi për udhëtime, një sfidë
Inspirim gjatë udhëtimit ne e kishim thënjen e filozofit Emily Thomas ‘Nëpërmjet udhëtimeve, ne jemi të detyruar të zgjerojmë dhe të rimendojmë atë që dimë’.
A thua udhëtimi ynë për Gjirokastër me librin Kronikë në gur në duar, të blerë në vitin 1997 si adoleshent , un bashkë me Habiben, Sadikun, Femijen, jemi pelegrinë të vonuar ? Douglas Giles thotë se ideja e udhëtimit ka një mistikë romantike. ‘Udhëtimi është diçka e pazakontë. Udhëtimi gëlon për një sens më të thellë që shumë prej nesh e kanë për diçka më shumë – për të përjetuar diçka më shumë dhe shpresojmë më mirë, shumë njerëz kanë kapërcyer frikën e së panjohurës për të eksploruar toka të reja’. Anglosaksonët me kalë e shkelën Amerikën, një tokë plot të papritura dhe të panjohura, me shumë rreziqe e viktima. Tensioni midis të panjohurës dhe të njohurës është një sfidë e kahmotshme.
Metafora e rrugëve
Udha të cilën e morrëm për Gjirokastër ka një qëndrim 24 orëshe në Belsh te liqeni, ku u ndalëm 1 natë. Qyteti i vogël na befasoi me liqenin aty, të rrethuar me kodra kurse liqeni shtrihej diku si në fund të një kazani të madh. Bizneset e vogla në qytet duket se e kanë marrë vehten, trotuaret e shtruar bukur dhe një numër restorantesh të pajisura e me kopsht për ngrënje. Të nesërmen, rruga vazhdoj duke kaluar anash plot me puse të naftës. Kaluam Kuçovën, urën Vajgurore dhe më në fund na doli Berati i ngjitur për mali, përposhtë kalasë me mija dritare e përposhtë tij Vjosa e kaltërt dhe kaltërt.
Një filozofi udhëtimi
Disa njerëz udhëtojnë si pelegrinazh në Arabinë Saudite. Pelegrinazhi i shqiptarëve është Muzeu Lidhjes së Prizrenit, Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti, Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë. Pelegrinazh për shqiptarët është Memoriali në Prekaz. Disa udhëtojnë për t’i shpëtuar jetës së tyre të zakonshme. Disa udhëtojnë për një ndjenjë aventure… Disa udhëtojn që të bëhen bedel për para. Ne vendosëm të udhëtojm për vehten dhe qejfin tonë.
Udhëtimet janë një përvojë e çuditshme. Nuk ka ndjenjë më të veçant se sa kur të shtyn për një udhëtim gjetja e një libri të vjetër në grumbullin e shumë, shumë librave të cilat janë lexuar njëherë e pastaj janë renditur diku në dollap me qindra të tjerave.
Ajo që duam ne në Gjirokastër ishte një histori, një aventurë, fotografi, një kafe në Qytetin e gurt një bisedë me gjirokastritët, ne restorant në rrugë, në pazar, në muzeum etj. Donim që të bëjm një krahasim të shikimi të qytetit nga autori, veçanërisht gjatë kohës së tij, në lagjet e vjetër të Qytetit. Donim t’i shohim të mirat e tij. Qasja jonë ishte e thjeshtë, : “Shkoni diku dhe njihuni me njerëz që janë të ndryshëm, që jetojnë në një qytet të rrallë”.
Kërkimi i Babazotit që pinte duhan me llullë
Mbërritja në Gjirokastër kishte për cak Hotelin Hazmurat . Aty ishim, por disi, na mashtroi navigacioni dhe dolëm atje afër Kalasë , rrugës përbri te Konzullati grek, ku rroja, përderisa parkuam në anën tjetër të rrugës, na bërtiti. I them Grekut se këtu nuk ka shenja se nuk mund të parkohemi dhe e pyesim, bashkë me Sadikun, se a këtu pari është Hoteli Hazmurat? Ai përsëri bërtet. Dikur i telefonova pronarit dhe ai menjëherë më premtoi se vjen dhe na merr. Për pak minuta Klementi u çfaq dhe ne e ndoqëm me veturë.
Ne pritnim që të shohim një hotel, si që i kishim këtu tek ne dhe në Evropë e gjetiu. Por aty na doli një shtëpi hotel si që ishin në pjesën e vjetër gati të gjitha shtëpitë-bujtina,e që ishin plot me të huaj. Hoteli ishte i gurt, atje afër Pazarit të vjetër në sokakun e pjerët të shtruar me kalldërm, me shtëpitë ngjitur njëra me tjetrën, të mbuluar me rrasa guri. Ishte i pajisur dhe i ndërtuar me kujdes dhe me shije. Sendet në brendi ishin renditur mirë. Terasa ishte e madhe dhe prej aty e soditnim qytetin e pjert. Kishim lexuar e dëgjuar se Gjirokastra është qyteti i çuditshëm. Qyteti ngjitur per kodre, poshtë Kalasë. Sot, ne bindemi se vërtetë, është një vend magjik i mbushur me histori të lashtë, peizazhe të jashtëzakonshme dhe kuzhinë të mrekullueshme.
Ajo që pamë që në fillim ishte Gjirokastra që të fton në magji dhe, siç shkruan Kadare, “duket sikur qyteti është ngritur për të zgjuar ide të mëdha”. Ai e quan një fat të madh që e nisi jetën e tij në një mjedis të tillë: “Sa më shumë unë mësoja sekretet e artit të të shkruarit, aq më shumë bindesha që kisha patur fat të rritesha në këtë qytet më se të veçantë, që kisha dëgjuar shpjegimet e para për botën nga goja e këtyre plakave të vjetra e të mençura, veshur me të zeza, që mbanin kupën e kafesë në njërën dorë dhe tejqyrën në tjetrën”.
Ne të katër u u bindëm se ajo që shkruan në libër është po ajo që e shohim aty, që e shkelnim me këmbë e dëgjonim, e nuhatnim dhe shikonim duke mos u ngopur.Në këte qytet gjithëçka është e vjetër dhe e gurtë duke filluar nga rrugët, shtëpitë, kalldërmi, duqanet i gjithë qyteti tani përplotë me të huaj. Përnjëherë na zgjohet dëshira, si që thotë Ismail Kadere në veprën Kronikë në gur, që të bëjmë një krahasim. Por një gjë e tillë është e pamundur, ky është qytet në vehte si që thotë Hegeli për sendet në vehte dhe sendet për neve. Pra, ne asnjëherë nuk mund ta kuptojmë qenjen e tij se si është ai në vehte. Por ne, kësaj rradhe, do të shkruajmë për ate se si qytetin e bëmë , e pamë për neve. Modeli i jetës të njerëzve të Gjirokastrës ka ndryshuar, por gjurmët e qytetit të Gurtë janë aty, brenda qenjes, zemrës së Gjirokastrës.
Foto h.jashari,2023
Duke lexuar, mbajtur në dorë librin dhe po përshpërisim, aty, deri sa po frymojmë dhe po i ngjitemi kalldërmës Hazmurat, kah Qafa e Pazarit, zemrës së qytetit. Kadare shkruan se Qyteti i Gurt i ishte qepur faqes se malit; me gratë sureale në një minder të gjatë, Xhexhua, Selfixheja, Kako Pino dhe të tjerat duke marrë lajme e duke dhënë gjykime mbi punët e botës; me plakat e jetës, mbi njëqind vjeçe, që nuk i shihte kush në rrugë prej dekadash, njëra prej të cilave do të vdiste nën gërmadhat e bombardimeve duke pyetur “kush më vrau mua”; me Babazotin që pinte duhan me llullë, lexonte qitape dhe dëgjonte muzikën e jevgjëve që i jepej prej tyre si kompensim për qeranë e papaguar, me Dino Çiçon, shpikësin gotesk të aeroplanit prej druri, i madh sa një tabut, të cilin do ta merrte me vete mbi shpinë kur të evakuohej qyteti për të mos e lenë nën kërcenimin e bombardimeve, pastaj me radhë me Llukan Burgamadhin, që lirohej sa herë ikte një rregjim dhe kthehej në burg sapo vendosej rregjimi i ri edhe pse nuk kishte më një dënim për të, me Avdo Babaramon, mitralierin e vjetër, me Syrjanë që bëri të padëgjuarën duke venë syze, me Gjergj Pulajn që ndryshonte emrin duke ia përshtatur okupatorit të radhës, me Lame Kareco Spirun, të vluarin e shtëpisë publike që ndiqte nga pas më të qara kamionin që largonte nga qyteti prostitutat italiane, me sheh Ibrahimin që do të nxirrte sytë me gozhdë për të mos parë mbërritjen e partizanëve në qytet,me shumë e shumë të tjerë burra dhe gra… Pra ky ishte qyteti që na po kërkonim.
Kërkuam me sy diku mos do të shohim Margaritën, jevgjen e bukur dhe të re në të cilin i ngulte sytë sa herë djaloshi që vinte te Babazoti, autori, e sa kishte filluar vitet që quhen djaloshare
Foto, h.jashari,2023
Në magjinë e pëllëmbës, ashtu si personazhet, edhe ngjarjet kanë veshjen e groteskes. Edhe ato më tragjiket. Përshkrimet e pushtimit të qytetit nga italianët, grekët, italianët përsëri, gjermanët, ballistët, partizanët jepen shpeshherë me notat e humorit të zi. Në gjithë këtë ndërthurje Gjirokastra duket si fundi i botës ku lufta e dytë botërore sheh në endërr marrëzinë e vet. Të paharrueshme janë faqet ku përshkruhet Vasiliqia , një magjistare e shtirur me sy të skuqur dhe flokë të lëshuar, që grekët e lëshonin në qytet njëherë e një kohë për tu vënë gishtin atyre që duhej të vriteshin, të cilët ajo i caktonte pasi i shihte në sy.
Shtëpitë prej guri, Lagjëja Palorto
Palorto është një pjesë e veçant e qytetit me shtëpitë e atyre që kanë bë emër si që janë familjet: Kadare, Hoxha, Kokalarët, Agonët, Zekatët etj. Gjimnazi madhështor Asim Zeneli , një godinë e bukur e ngritur lart, majë kodrës e rruan madhështinë e Liceut të dikurshëm Francez. Kërshërinë tonë e fascinoi guri. Kalldërma me tre rreshta gurë dhe rreshti i katërt me gurrë me të bardha në të gjitha sokaqet, i jepnin qytetit një pamje të lashtë, një pamje mistike, që nxit imagjinatën për ata njerëz që i kanë nxjerr nga shkëmbi, i kanë gdhendur, bartur; ata kuaj, buaj, qetë që kanë tërhjekur karrocat. Djersa e madhe që është derdhur duke kaluar atë përpjetë, ngjitur për kodre, përditë dhe për shumë vite, decenje, shekuj. E gjith kjo na përfytyrohej derisa këto biseda i bënim duke u ngjitur faqes së malit, pjesës së vjetër të qytetit. Bisedonim dhe i matnim me shikim shtëpitë e larta dhe të punuara me mjeshtëri…
Shtëpija muze e shkrimtarit, h.jashari, 2023
Duke ecur po pyesim për Shtëpinë e Ismail Kadaresë . Të gjithë na thonin se duhet të kaloni pranë klinikës së doktor Vasil Labovitit në lagjen Varosh. Dr Laboviti përmendet si personazh i romanit Darka e gabuar. Gjinekologu i famshëm, shpëtoi qytetin nga nazistët dhe u bë i njohur për 40000 operacionet e tij. Para se të arrijmë në shtëpinë e tij, kaluam shtëpinë e Kako Pinos. Kjo grua i ka bërë përshtypje Kadaresë si fëmijë me kutinë e saj magjike të parukierisë .
Biseda me Vlonjatët
Pastaj duke dashur që të shkojmë deri te shtëpija e Ismail Kadaresë hasëm shtëpinë e Enverit që mbante një titull pak si të fshehtë. Aty pyetëm Ardin , një djalë që kaloi aty pari, ai na tregoi sokakun e gurt kah duhet zbritur . Ai ishte Sokaku i të Marrëve. Na tregoj edhe historinë e emërtimit. Aty afër në rrugë ishte një grua si Xhexhua që llafoste me dike. Ajo na tregoi se ishte fqinji e e shkrimtarit por ‘ çe doni, ai kalon këtej e s’të thotë mirdita, apo si je’ . Ardi I., djaloshit që i ofruam një birë na tha “se ai e pi alkoholin pluhur…” Poashtu tha se Kadare ka shfytëzuar historitë e ‘ burgaxhinjëve’. Klementi te hoteli poashtu, tregoi versionin e vetë të shkrimtarit të Madh. Kadare ka të drejtë kur thotë:” Ti e di mirë se kudo në botë çdo shkrimtar a artist i shquar krijon vetvetiu kundërshtarë. Me arsye, pa arsye, me kinse arsye. Në qoftë se kjo është një e vërtetë botërore, gjitheuropiane, mendo se ç’trajta groteske merr në Ballkan, e sidomos në vendin tonë të dashur.Të marrin inat njerëzit për gjëra që s’të vete mendja: për kapelën që ke vënë, ose nuk e ke vënë, për ecjen, për të fejuarën, për kanapenë, për romanin, për një Zot e di çfarë. Më kujtohet se ty të merrnin inat pse rrije i pikëlluar në kafene. Madje, më ke thënë se ta kanë përmendur edhe në hetuesi”. Por nga kjo më erdhi në një përfytyrim kur vitin e kaluar Ismail Kadare ishte në Tetovë kur Kryetari i Komunës Kasami e bëri Qytetar nderi, me 26 nëntor, 2023. Aty, pas solemnitetit, shiteshin libra. Kishte plot njerëz, sidomos student e nxënës që rrinin në rresht për të nëshkruar nga autori librat e blerë. Derisa pritsha për nënshkrim, më rra në sy Bujar Hudhri që rrinte i ndihmonte autorit të nënshkruan, hapte librat atje ku duhen. Pasi që ishte vargu i madh i studentëve, nuk e pashë këte person dikujt t’i buzëqesh, t’i thot faleminderit, të flet me dike… të ketë sjellje dashamirëse. Ai sillej si truproje, me dyshim të egër dhe pa empati ndaj studentëve. Ende nuk e kuptoj si mundet një njeri i tillë të rrij e ta shoqëroj shkrimtarin e lavdishëm!?
Më në fund hyrëm te shtëpija e Kadaresë. Shënimet në mure shkruajnë se shtëpija është ngritur në vitin 1799 dhe është rindërtuar në vitin 1999. Vetë shtëpia u rindërtua së fundmi për të qenë muzeu i Kadaresë. Shtëpia dhe brendia janë një tregim mbresëlënës me hajatin e madh , pastaj lart me dhomat e gjumit dhe sendet personale, mangallin, kanapetë. Mjeshtër të mëdhenj kanë qenë ata që kanë gdhendur gurët. Por, neve na interesonte sterna e cila i krijonte frikë autorit posa dëgjonte bubullimën. Ishte një përfytyrim i vështirë kur ajo mbushej dhe uji dalldisej në obor , mbi pullazet e shtëpive, rrugëve…
Ne vazhduam më tej duke soditur shtëpitë si ajo e Skënduleve si krijesë 300 vjeçare, Shëpinë e Zekateve me një bukuri madhështore
Pazari i vjetër në Qytetin është plot me gjëra të trashëgimisë kulturore të vendit , plot me turist që ecin në këmbë rrugëve të gurta e që na bëjn që të familiarizohemi për një kohë të shkurt me rrethin, me pullazet me gurrë të sjellur nga mali i Tomorrit. Kamerieri Romeo që na solli kafenë na tha se qyteti po merr një zhvillim të qëndrueshëm. Sivjet ka qenë plot me të huaj.
Vështrim i qytetit nga Kështjella, pra, hulumtimi ynë shkonte deri atje që të numërojë shëpitë e meremetuara dhe të reja që nuk kanë gurë por tjegulla të kuqe. Nga Kalaja i numëruam dhe ishin 17. Përshtypja jonë është se në këtë mënyrë ‘Delet e zeza’ po shtohen dhe e prishin bukurinë e qytetit. Ujëmbledhësi nga shiu që furnizonte qytetin me ujë dhe një pus që është ende aktiv, na lane pa fjalë. Burgu famëkeq i përdorur edhe në kohën e Xhaxhit Enver, na bëri kureshtarë që të bëjmë shumë pyetje dhe të hapim tema të reja diskutimi. Sadiku bile me të menduarit e tij kritik i numëroi aty për aty ndërhyrjet që janë bë në Kala dhe e kanë prishë autencitetin e sajë .
Vizitë në Mashkullore
Po sa dolëm nga Gjirokastra dhe vërejtëm shenjta që paralajmëronin fshatin, Sadiku tha do të kthejm patjetër. Zatën ai filloi të tregoi historinë e luftës që kur erdhëm dhe pamë atje më kodër katundin. Mashkullora është një fshat në rrethin e Gjirokastrës , afër shpatit të Malit të Gjerë, rreth 7 kilometra në veri të Gjirokastrës dhe banohet nga shqiptarë të besimit ortodoks dhe mysliman. Dy lagjet dhe komunitetet e besimeve të ndryshme ndahen nga një përrua. Mendohet se fshati e ka marrë emrin Mashkullorë, sepse pothuajse në të gjitha regjistrimet zyrtare të popullsisë, qysh nga koha e Skënderbeut, numri i banorëve meshkuj në këtë fshat ka qenë më i madh se ai i femrave. Beteja e Mashkullorës (18 Mars 1908) ishte njëra nga betejat më të rëndësishme të Çerçiz Topullit kundër pushtimit turk
Ngjitja nuk ishte vështirë, rruga ishte e mire . Kur mbërijtëm në fshat nuk pamë njeri. Në qendër aty te Momumenti, bëmë foto dhe pamë xhaminë, qendrën shëndetësore, shkollën. Aty kaloj një veturë e cila pasi na kaloi u kthye, e na përshëndeti një zonjë . U prezentua me emrin Eftali Pusi. Na shpjegoi për fshatin i cili ishte shprazë nga emigrimi. Por, përsëri aty janë nja 100 banorë, që ne nuk i pamë askund, asnjeri. Çdo gjë është e mbyllur, shkolla, posta, ambulance. Në shesh, aty, nuk pamë hapur asgjë. Ajo na tregoi vendin se ku është bë lufta dhe se aty ka një momument. Zbritëm poshti disa kilometra, disa persona na treguan rrugën, po asesi ta gjejmë, fusha ishte e shkretë me rrugë qerresh me kuaj. Sadiku insistonte të shkojmë, por përsëri nuk gjetëm gjë. Takuam një person me një kalë, Trifun e kishte emrin. Ai na tha se e keni gabuar rrugën dhe këtej do ta keni vështirë të shkoni pa dëmtuar makinën. Trifuni kishte një kale me vehte e luta që t’i hyp pak. Por ai tha ‘ është mëz’
Mëzi i z. Trifunit
Rezistenca e armatosur në Mashkullorë
Më 25 shkurt 1908 Çerçiz Topulli dhe grupi i tij kryengritës shqiptarë vranë binbashin osman të Gjirokastrës. Pas vrasjes së binbashit osman, Çerçiz Topulli dhe kryengritësit e tij shqiptarë ikën në Mashkullorë.
Më 18 mars, kryengritësit dhe Çerçiz Topulli u rrethuan nga forcat osmane . Forcat osmane kishin mbi 150 ushtarë , megjithatë Çerçiz Topulli mundi të luftonte me ushtarët dhe doli fitimtar. Grupi kryengritës shqiptar u përball për një ditë të tërë me sulmet e pamëshirshme të forcave turke dhe mundi të çajë rrethimin. Forcat turke humbën 20 ushtarë, përfshirë gjeneralin e tyre. Nga ana tjetër kryengritësit shqiptarë humbën vetëm një ushtarë, Hajredin Tremishti si dhe u plagosën Çerçiz Topulli dhe Myftar Axhemi. Çerçizi e vazhdoi edhe më pas rezistencën kundër sundimit turk.
Lapidari në Mashkullorë
Pasi bëmë fotot u nisëm për Tetovë, tani drejt Fierit, pastaj Elbasanit duke u ndalë rrugës për drekë
Mbresat nga Qyteti i Gurt janë të paharueshme. Madhështia e atyre shtëpive, rrugicave të shtruara me kujdes, pastërtia e qytetit, shtëpitë hotele na lanë pa fjalë dhe na nxitën dëshiron që aty të kthejm përsëri. Përshtypje na bëri ai lum i pakëputur i turistëve të huaj, sidomos të moshës së tretë, që ngjiten rrugëve të pjerta, që me ngulm dhe vëmendje të theksuar sodisin çdo gjë të qytetit; kalldërmën, shtëpitë, dyert e hyrjes, çatitë, Kalanë…