Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve zyrtarizoi kandidatët për presidentë.
Më 24 prill në fletën e votimit për kryetar të shtetit do të jenë emrat e Stevo Pendarovskit, Gordana Siljanovska Davkovës, Arben Taravarit, Bujar Osmanit, Stevço Jakimovskit, Biljana Vankovskës dhe Maksim Dimitrievskit, shkruan Alsat.
KSHZ-ja u dha dy ditë kandidatëve Taravari dhe Jakimovski për kompletimin e dokumentacionit.
“Konstatoj se lista e përfaqësuesve të autorizuar të parashtruesve të listave të kandidatëve për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut, listat janë konfirmuar njëzëri. Kandidatët Stevço Jakimovski dhe Arben Taravari, brenda 48 orëve duhet të dorëzojnë numër të vetëm tatimor dhe llogari transaksioni”, tha Aleksandar Dashtevski – kryetar i KSHZ-së.
Në seancën e KSHZ-së njëzëri u miratua kërkesa për akreditime të vëzhguesve të procesit zgjedhor nga Misioni i OSBE-ODIHR-it. Paraprakisht, shefja e ODIHR-it, Xhilian Stirk, theksoi se që nga një ditë më parë kanë nisur aktivitetet e tyre në vend dhe ka bërë të ditur se do ta ndjekin legjislacionin lidhur me zgjedhjet, do të vëzhgojnë fushatat zgjedhore, financimi i tyre, si dhe raportimi në media. Nga Misioni njoftuan se do të përfshihen me rreth 320 vëzhgues. Ndërkohë nuk u përgjigjën konkretisht nëse një shifër kaq e lartë është ndoshta për shkak të paralajmërimeve për një periudhë të tensionuar parazgjedhore.
“Numri i vëzhguesve është bazuar në rekomandimet për nevojat e misionit vlerësues. Keni dy lloj zgjedhjesh, kështu që nuk është e pazakontë që të kemi një numër të madh vëzhguesish dhe kërkojmë numër të madh vëzhguesish për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare”, u shpreh Xhilian Stirk – Shefe e Misionit të ODIHR-it.
Stirk bëri të ditur se një nga detyrat që do të ketë në ditët në vijim është të kontrollojë nëse institucionet do të kenë kohë të mjaftueshme për të zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it nga ciklet e kaluara zgjedhore.