Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara u ka bërë thirrje Rusisë dhe Kinës që të ndalojnë së shpërblyeri sjelljen e keqe të Koresë së Veriut dhe të mos e mbrojnë nga shmangia e sanksioneve për shkak të aktiviteteve të programit të armëve. Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield i bëri këto deklarata gjatë vizitës në Zonën e Çmilitarizimit, një zonë e fortifikuar kufitare mes dy Koreve, të cilat, teknikisht janë në luftë. Vizita e saj në Korenë e Jugut ndodhi pasi Rusia refuzoi të rinovojë mandatin e panelit shumëkombësh të ekspertëve, i cili gjatë 15 vjetëve të fundit ka monitoruar zbatimin e sanksioneve të OKB-së që synojnë të frenojnë programin bërthamor dhe raketor të Koresë së Veriut. Vetoja e Moskës dhe abstenimi i Kinës vetëm “fuqizon” përpjekjet e Koresë së Veriut për të shmangur sanksionet ndërkombëtare.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë qëllim armiqësor për Korenë e Veriut. Ne vazhdimisht i kërkojmë Phenianit të refuzojë provokimin dhe të përqafojë dialogun. Rusia dhe Kina, të dy vendet vazhdojnë të përdorin qëndrimet e tyre në Këshillin e Sigurimit për të mbrojtur Korenë e Veriut nga përgjegjshmëria dhe së fundmi për të parandaluar të gjithë vendet anëtare të OKB-së të mësojnë rreth programeve të paligjshme të armëve të Koresë së Veriut dhe përpjekjeve për evazion sanksionesh”, deklaroi Linda Tomas-Grinfild, ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara. /Alsat.mk