I aktivizuar shumë pak gjatë këtij sezoni, sulmuesi 19-vjeçar brazilian Vitor Roke, mund të lërë ekipin e Barcelona në merkaton e verës. Vetëm 2 gola në 13 ndeshje (11 në La Liga) për talentin e ardhur me bujë verën e kaluar nga Brazili.
Duke parë edhe vështirësitë financiare, klubi katalanas mund të vendosë ta shesë lojtarin, që ka një kontratë deri në vitin 2031 dhe kushton rreth 40 milionë euro. Por, ka shanse që ai të luajë në ndonjë ekip tjetër i huazuar.
Vetë Roke nuk e ka humbur shpresën që të fitojë një vend si titullar, por, nga ana tjetër, ka konfirmuar se është gati të provojë një aventurë të re. Qoftë edhe përkohësisht, në ndonjë ekip tjetër spanjoll apo në Angli.
Gjithçka do të varet nga mundësia që do të ketë Barcelona për të përballuar financiarisht një merkato të mirë këtë verë. Në rast se do të jetë e nevojshme, Vitor Roque mund të jetë një nga të sakrifikuarit.