Në Torino tashmë të gjithë janë të lodhur me Masimiliano Alegrin dhe Tiago Mota duket se jo vetëm ka dhënë gatishmërinë e tij për t’u transferuar te Juventusi, por në të njëjtën kohë, “Tuttomercato” ka zbuluar edhe detajet e marrëveshjes me trajnerin dhe “magjistarin” e Bolonjës.
Drejtori sportiv Kristiano Xhuntoli do të marrë përsipër që të gjejë edhe gjuhën e përbashkët me Alegrin për të ulur pretendimet e tij prej 7.5 milionë eurosh nga divorci me “Zonjën e Vjetër”, numri dy i klubit torinez e ka bindur Tiago Motën me një kontratë 2-vjeçare, skadenca 30 qershor 2026, por me një opsion automatik rinovimi për një tjetër vit (deri në 2027-ën), në rast kualifikimi në Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, për sa i përket aspektit ekonomik, Tiago Mota do të përfitojë gjysmën e pagës që fiton Alegri aktualisht. 3.7 milionë euro, plus një seri bonusesh në varësi të arritjes së skuadrës, kur për kualifikimin në Ligën e Kampionëve dhe çdo objektiv tjetër do të ketë një shtim page prej 200 mijë eurosh. Kjo që i ofron Juventusi ish-mesfushorit të Interit dhe të Kombëtares së Italisë është të paktën trefishi i asaj që ai përfiton aktualisht te Bolonja, ku përfiton vetëm 1.2 milionë euro neto, ndonëse në rast kualifikimi në Ligën e Kampionëve, pa dyshim që një bonus do t’i garantohet, edhe pse ai do të largohet nga krijesa e tij perfekte.
Drejtuesit e Bolonjës nuk duan që ta humbin 41-vjeçarin, por pa dyshim që për Tiagon, skuadra e Juventusit përfaqëson një mundësi të artë për karrierën e tij, aq më tepër që duke parë këto tri sezone të fundit kaq të vështira, ai vetëm mund të përmirësojë një skuadër si “Zonja e Vjetër”, prandaj edhe kushtet janë ideale për të bërë hapin e madh.