Në 12 shkollat fillore të komunës së Tetovës të dhënat e deritanishme flasin se duhet të regjistrohen 840 nxënës. Por në këto lista nuk janë përfshirë fëmijët e lindur jashtë Tetovës, bëjnë të ditur nga Sektori për Arsim në komunën e Tetovës.

Në ndërkohë, vazhdon problemi i rënies së numrit të nxënësve që regjistrohen në shkollat e Malësisë së Tetovë, ku këtë vit pritet që të regjistrohen 100 nxënës më pak.

“Të dhënat që kemi nga drejtoria e librave amë, i kemi 840 fëmijë që duhet të regjistrohen në klasë të parë, në krahasim me vitin e kaluar kemi një rënie të dukshme të fëmijëve që duhet të regjistrohen në klasë të parë. Sipas të dhënave që I kemi, problem është malësia e Tetovës kemi shumë pak fëmijë që do të regjistrohen në klasë të parë, përafërsisht janë 100 nxënës më pak. Por, ende nuk kemi të dhëna për lindjet që janë kryer jashtë Tetovës, sepse e dimë se ka lindje të fëmijëve edhe në qytete tjera, kryesisht në Shkup”, tha për gazetën Koha, Valedin Ademi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës.

Sipas tij, me këto numra nuk rrezikohet që të mbyllet ndonjë paralele, apo ndonjë shkollë. “Besoj se ende jemi në nivel që të mos vijmë deri tek kjo situatë. Poashtu nuk rrezikohen edhe vendet e punës për mësimdhënës”, nënvizoi Ademi.

Regjistrimi i fëmijëve në shkollat fillore do të fillojë pas përfundimit të pushimit që kanë fëmijët në këtë periudhë, respektivisht pas 7 majit. /Koha.mk