Prokuroria Publike Themelore e Strugës ka dorëzuar dy propozime prokuroriale për veprat penale – Keqpërdorim në shërbim dhe vazhdim i veprës penale – Falsifikimi i dokumenteve nga neni 378 i Kodit Penal, lidhur me punën e shkollave në territorin e komunës së Strugës, transmeton Portalb.mk.

“Në rastin e parë akuzohen katër persona. E pandehura e parë, mësuese e gjuhës frënge në një shkollë fillore në Veleshtë, ka përdorur si të vërteta tre dokumente publike false, të cilat i ka përdorur për të dhënë provimin profesional në Qendrën Shtetërore të Provimeve. Tre të tjerët – kryetari i komunës së Strugës, drejtori dhe ndihmësdrejtori i shkollës kanë pranuar dokumentet e falsifikuara në procedurë për dhënien e provimit profesional, punësimin si mësimdhënës, por edhe për caktimin e të dyshuarit të parë si ushtrues detyre, drejtor shkolle në periudhën prej 19.04.2022 deri më 06.09.2023”, njoftuan nga Prokuroria.

Në rastin e dytë, kryetari i komunës së Strugës akuzohet për vepër penale – Shkelje e ushtrimit në shërbim pasi ka marrë vendim me të cilin ka caktuar person që nuk i plotëson kushtet në detyrën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të shkollës fillore në fshatin Podgorcë gjegjësisht nuk ka pasur përvojë pune. Ndonëse nuk i plotësonte kushtet, personi e ka mbajtur pozitën e drejtorit në periudhën prej datës 11.11.2022 deri më 25.04.2023.

Kujtojmë se Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion (PThP NKOK) së fundmi ka ngritur padi kundër kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për blerjen e veturës luksoze “Audi” në kurriz të Komunës, dhe me iniciativë të Komisionit Kundër Korrupsionit.

Aktakuza ndaj Merkos i referohet veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të KP, i cili parasheh dënim me burg nga një deri në pesë vjet.

Merko, para 4 vitesh në lidhje me blerjen e kësaj veture luksoze për “24 Analiza” tha se i nevojitet vetura sepse Struga është larg.

Më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.