Pas rivotimeve në Njësinë e 5-të Zgjedhore, kreu I VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pret që kjo parti ta ketë shumicën prej 62 deputetëve. Sipas tij, kjo paraqet mundësi historike për vendin.

“Kemi mundësinë historike si asnjëherë më parë në këto tri dekada. Kemi edhe pak punë për të bërë, më 22 maj do të ketë rivotime në Njësinë e 5-të Zgjedhore dhe atje presim plus një deputet dhe kur sërish do t`i drejtohem opinionit, të mos them 61, por të flasim për 62 deputetë”, tha Mickoski.

Synimi i radhës, sipas Mickoskit, do të jetë sigurimi i 2/3 të shumicës në Kuvend, sic tha, për të nis procesi reformues historik, që nuk është parë në Maqedoni.

“Në 100 ditët e para presim lajmë jashtëzakonisht të mira për qytetarët, në rritjen e standardit të tyre jetësor. Do të thoja një “bombë” financiare. Nuk do të merremi me “bomba” politike, me sulme, por planifikojmë ta meritojmë vendin tonë në histori”, u shpreh Mickoski.

“Lidhur me politikën ndërkombëtare, asnjëherë nuk do të na shihni duke u gjunjëzuar ose duke u nënçmuar. Viteve të kaluara kisha mundësi të takoj autoritete botërore nga Uashingtoni deri në Bruksel e Berlin. S`ka asgjë më inspiruese për mua se sa populli dhe shteti maqedonas. Edhe ndaj tyre do të zhvillojmë politike me argumente dhe asnjëherë s`do të frikësohemi t`i përballim argumentet”, tha Mickoski.

Mickoski u shpreh se koalicioni “Maqedonia Jote” do të synojë parimin “tonën nuk e japim, të huajën nuk e duam”, duke potencuar se nuk do të bëhen hapa të përshpejtuar që mund të kenë kosto të lartë për vendin.