Ministria për Sistem Politik nuk do të jetë më vendi ku do të luhet futboll, por do të bëhet resor në shërbim të bashkësive etnike në shtet. Kështu vlerëson zëvendësministri për Shoqëri Informatike, Stefan Andonovski. Në intervistën për Radio Evropa e Lirë, Andonovski ka deklaruar se sistemi politik do t’i hiqet këtij resori dhe do të shtrihet në më shumë dikastere në kuadër të Qeverisë. Sipas tij, kompetencat e kësaj ministrie dhe të zëvendëskryeministrit të parë duhet definuar.
“Mendoj se do të kthehet në Ministri për marrëdhënie mes bashkësive, ndërsa sistemi politik ka një dimension më të gjerë. Duhet të ketë një njeri në Qeveri që angazhohet për sistemin politik, por nga fakti se është dimension më i gjerë dhe nuk mund të funksionojë si resor me sektorë. Mendoj se kjo ministri duhet të fillojë të punojë në mënyrë operative për të gjitha bashkësitë”, tha Stefan Andonovski, Zëvendësministër për Shoqëri Informatike.
I pyetur për negociatat mbi formimin e shumicës parlamentare veçmas prej negociatave me Koalicionin VLEN, Andonovski ka deklaruar se qëllimi i VMRO-DPMNE-së është që të sigurojë shumicë prej 2/3 për ndryshime mbi çështje nacionale. Për momentin negociata me partinë ZNAM të Maksim Dimitrievskit sipas Andonovskit nuk ka.
“Ajo që neve duam ta arrijmë është konsensusi më i gjerë për çështjet nacionale dhe të arrijmë deri tek 80 votat e nevojshme për ndryshime të rëndësishme të ligjeve sistematike të cilat kërkojnë një shumicë të tillë. Diskutimet do të ketë edhe me parti të tjera politike ose individë (deputetë) në Kuvend të cilët do të jenë të interesuar për të asistuar në zgjidhje ligjore të veçanta” tha Stefan Andonovski, Zëvendësministër për Shoqëri Informatike.
Duke folur për procesin e negociatave me VLEN, Andonovski ka shtuar se është në fazën e ndarjes së resorëve dhe çështjeve kadrovike, por për momentin nuk mund të zbulohet asgjë pasi në të njëjtën kohë diskutohet edhe për çështje programore të dyja palëve. /Alsat/