Ish-ministri i financave dhe njohësi i zhvillimeve politike,Xhevdet Hajredini ka reaguar ndaj njoftimit të krerëve të “Frontit Europian” se do të njoftonin të huajt me “memorandum” se po shkelet legjimiteti i shqiptarëve dhe komuniteteve më të vogla me hyrjen e VLEN-it në Qeveri.
Ai këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shtruar pyetjen se si asnjë zyrtar i BDI-së nuk është akuzuar dhe dënuar për më shumë se 20 vjet.
Ja postimi i plotë:
“Si ka mundësi që asnjë zyrtar i BDI-së nuk është akuzuar dhe dënuar për krim dhe korrupsion gjatë 20 viteve sa kanë qenë në pushtet me VMRO-në dhe LSDM-në, kur dihet se Maqedonia gjatë gjithë kësaj kohe, për shkak të faktorëve relevantë të brendshëm dhe të jashtëm, është konsideruar vendi më i korruptuar në rajon dhe në botë?
Kjo u bë e mundur duke filluar me shpërfilljen e rekomandimeve të Priebe, ndalimin e “bombave” të Zaevit, shfuqizimin e Prokurorisë Speciale, fshehjen e skandalit më të madh me Deutsche Telekom, marrëveshjet e fshehta korruptive me SINOHYDRO dhe BECHTEL e ENKA, si dhe me ndryshime në Kodin Penal, në kundërshtim me qëndrimin e BE-së dhe SHBA-së”.