Zgjerimi i Bashkimit Evropian për të përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë prioritet për përfaqësuesit e bllokut të cilët do të vijnë nëpër pozita nga negociatat pas zgjedhjeve të fundit të Parlamentit Evropian.
Kështu u pajtuan ministrat e jashtëm të Republikës Çeke, Austrisë, Italisë dhe vendeve tjera, gjatë takimit dyditor të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me “Grupin Miqtë e Ballkanit Perëndimor” që u mbajt në Vjenë.
“Është në interesin tonë të zgjerojmë Evropën dhe gjithashtu që vendet si Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Shqipëria të afrohen me standardet evropiane, të ndajnë politikën tonë të jashtme dhe të reformojnë veten e tyre. Kjo është e rëndësishme për ne sepse vetë zgjerimi sjell më shumë siguri dhe prosperitet është një nga mjetet tona më të fuqishme që kemi si Evropë”, tha ministri i jashtëm çek, Jan Lipavsky.
Mbështetje për anëtarësim të shteteve ballkanike në BE dha edhe kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, por edhe përfaqësues të shteteve tjera pjesëmarrëse në forum.
Gjatë takimit të së enjtes në Ministrinë e Jashtme të Austrisë, ministrat diskutuan bashkëpunimin në rajonin e Danubit, me theks në mbështetjen e Ukrainës përballë agresionit rus. Ata gjithashtu mbështetën përpjekjet e Ukrainës, Moldavisë dhe vendeve të Danubit të Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Ministrat miratuan një deklaratë të përbashkët në të cilën dënuan, ndër të tjera, agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe sulmet e përsëritura ushtarake të Rusisë në portin dhe infrastrukturën e depozitimit të Danubit.
Të premten, më 21 qershor, bisedimet u zhvendosën në Abacinë Gottweig në Austrinë e Poshtme, ku një vit më parë u krijua grupi Miqtë e Ballkanit Perëndimor i përbërë nga Republika Çeke, Kroacia, Italia, Austria, Sllovakia, Sllovenia dhe Greqia. Qëllimi i këtij grupi është të mbështesë në vazhdimësi vendet e Ballkanit Perëndimor në integrimin e tyre në BE. Për këtë qëllim, anëtarët e grupit kanë paraqitur disa propozime konkrete brenda BE-së gjatë vitit të kaluar.
Takimet në Gottweig, ku morën pjesë edhe ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, u fokusuan në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë dhe në zhvillimin e mëtejshëm të konceptit të të ashtuquajturit integrim gradual, i cili duhet t’u mundësojë banorëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor të përjetojnë në praktikë disa nga përfitimet e anëtarësimit në BE përpara se vendet e tyre të anëtarësohen zyrtarisht në Union.
Në Gottweig, ministrat miratuan gjithashtu një Thirrje të përbashkët për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, në të cilën, ndër të tjera, u drejtohen përfaqësuesve të BE-së që do të dalin nga negociatat pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian për ta përfshirë këtë çështje në mesin e prioriteteve të tyre. Ata shprehin gjithashtu bindjen e tyre se reformat e brendshme të BE-së nuk janë parakusht për zgjerimin, por se të dy proceset mund të ecin paralelisht.