Qyteti i Gostivarit do të bëhet me urë të re. Ajo do të ndërtohet mbi lumin Vardar te pjesa ku ndodhet Amfitetari i hapur i qytetit. Ura e dedikuar për këmbësorë, do të përshtat edhe për personat me aftësi të veçanta. Ky investim vjen përmes projketit “Rajonet Lidhëse” financuar nga Bashkimi Evropian përmes Programit Ndërkufitar IPA II për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, gjegjësisht komunat e Gostivarit dhe të Vitisë. Në prezentimin e projektit, i cili u zhvillua në Gostivar, u.d. kryetari i komunës së Gostivarit Valbon Limani dhe ai i Vitës Sokol Haliti, theksuan se i njejti kap vlerën e mbi një milion euro ku 70 për qind e mjeteve financohen nga ana e BE-së.
Kryetari i Komunës së Vitiës, Sokol Haliti sqaron se ky projekt i dedikohet ambinetit jetësorë, nga i cili drejtpërdrejtë përfitojnë banorët e dy komunave në fjalë.
Dashmir Osmani, drejtues i projektit në Gostivar tha se përpos urës, Gostivari nga ky projekt përfiton edhe vendosjen e një softuerit dhe ekranit vizual digjital për numërimin e numrit të njerëzve që përdorin urën, ndërtimi i shtegut për këmbësorë në gjatësi prej 400 metrash pranë lumit Vardar, veprim i fizibilitetit për ndërtimin e mundshëm të një grope septike pilot në afërsi të lumit Vardar për filtrimin e ujërave të zeza nga rrjedhat e tjera dhe studim mbi gjelbërimin dhe pyllëzimin e zonës së qytetit.
Mediana Bislimi, drejtuese e projektit për Komunën e Vitisë sqaron se ata si komunë me këtë projekt do të ndërtojnë shtegu për këmbësorë në gjatësi prej 1.300 metrash pranë lumit Morava, shtrim të shtratit të i lumit me gurë në gjatësi prej 760 metrash dhe ndërtimi i pesë gropave septike në afërsi të lumit Morava për filtrimin e ujërave të zeza nga rrjedhat e tjera.
Poashtu me këtë projekt bëhet sigurimi i pajisjeve për krijimin e qëndrueshëm të vendeve rekreative; ngritja e vetëdijes së popullatës për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe ngritja e kapaciteteve të palëve të interesuara. Gjatë prezentimit të tij, u tha se projekti ka për qëllim të kontribuojë në uljen e ndotjes së mjedisit dhe rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve në rajonin kufitar të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, të zvogëlohet ndotja e lumenjve përmes veprimeve të përbashkëta për parandalimin e hedhjes së paligjshme të mbeturinave dhe të krijohen parakushte për transport të gjelbër për qytetarët. Projekti ka filluar të implementohet në fillim të këtij viti dhe pritet të mbyllet në dhjetor të 2025-ës. FLAKA