Nga VMRO-DPMNE sërish thonë se BDI po planifikon destabilizimin e vendit, përcjell TV21. Nga partia e Mickoskit thonë se integristët këtë po e bëjnë për t’i ikur përgjegjësisë.
“BDI dëshiron ta destabilizojë vendin që të mos mbajnë përgjegjësi për krimet që kanë bërë, VMRO-DPMNE nuk do të lejojë që populli të vuajë. BDI nuk mund të pajtohet me faktin se nuk janë më në pushtet dhe se të afërmit e tyre nuk mund të drejtojnë më biznese miliona dollarëshe në kurrizin e shtetit. Teksa populli mezi ia dilte të kalojë muajin, djali i Musa Xhaferit tregtonte me rrymë, ndërsa MEPSO i shlyente atij dhe disa kompanive të tjera një borxh prej 14 milionë eurove. Derisa njerëzit po shpërnguleshin, nipërit e Ali Ahmetit morën Soravinë, hynë në biznesin e rrymës dhe minierave. Derisa populli habitej se si të mbijetojë nga i pari deri tek i pari, Artan Grubi bënte marrëveshje me nënkontraktorët për rrugët. BDI nuk ka punuar për shqiptarët, as për maqedonasit, BDI ka punuar për një klikë të ngushtë që me sa duket ka rrëmbyer partinë. Nga BDI tani e dinë se duhet të përgjigjen për gjithçka që kanë bërë, prandaj edhe frika është e madhe. Përpjekjet për destabilizim janë thirrjet e fundit për shpëtimin e një bande kriminale dhe mbrojtjen e milionave të fituara në mënyrë kriminale. VMRO-DPMNE nuk do të lejojë që shteti dhe populli të vuajnë. Do të ketë përgjegjësi”, thuhet në reagimin e VMRO-së.