Zv.kryeministri, Izet Mexhiti, në një intervistë për gazetën LAJM, hodhi poshtë akuzat se për shënimin e Marrëveshjes së Ohrit janë ndarë vetëm 4000 denarë. Ai tha se Qeveria ka mjete për ta shënuar në mënyrë institucionale 23 vjetorin e paktit që ndërpreu luftën dhe solli paqen në Maqedoni, në vitin 2001.
“Akuza e parë ishte se Marrëveshjen e Ohrit e ka marrë Stoilkoviqi dhe pastaj del vendimi se koordinator për Marrëveshjen e Ohrit është zv.kryeministri i parë, Izet Mexhiti, atëherë heshtin dhe dalin tek teza tjetër që në pikën buxhetore ka vetëm 4 mijë denarë për shënimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo nuk mban. Ne u detyruam sepse këta i kanë shpenzuar mjetet e reprezentacionit, nëpër dreka e darka, nëpër koncerte dhe me rebalance e kemi bartur këtë përgjegjësi ta mbajë Qeveria e Republikës së Maqedonisë, përmes Sekretariatit të Përgjithshëm të mbulojë të gjitha shpenzimet për shënimin institucional dhe zyrtar të Marrëveshjes së Ohrit. Pra, nëse mjete nuk ka te ministria që e ka lënë Artani, ka Qeveria e Maqedonisë dhe ngritet niveli. E dyta, neve nuk na duhen shumë mjete sepse nuk e kemi ndërmend ta devijojmë Marrëveshjen e Ohrit. Ata edhe kur ishin pjesë e Qeverisë e devalvuan me koncerte jashtë institucionale”, tha Mexhiti për gazetën LAJM.