Një javë para nisjes se vitit shkollor, qytetarët kanë nisur blerjet për fëmijët e tyre, por për shumë prej tyre çmimet janë të pa përballueshme. Të anketuar nga Alsat qytetarët theksuan se krahasuar me vitin e kaluar vërehet rritje e çmimeve të pajisjeve shkollore.

“I shikova çmimet janë të larta, jo edhe shumë, por, për buxhetin tonë janë të larta”, u shpreh një qytetare.

“Çmimet janë të larta, të gjitha çmimet janë të larta. Hyra në librari shikova në përgjithësi, të gjitha çmimet janë të larta”, tha një tjetër qytetare.

“Po, po jemi përgatitur. Ne nuk jetojmë këtu në Maqedoni, jemi për pushim, por, me atë që dëgjojë nga të tjerët çmimet janë shumë të larta”, theksoi një qytetar.

Të kundërtën e qytetarëve e thonë libraritë. Sipas tyre çmimet e pajisjeve shkollore nuk kanë lëvizur.

“Në lidhje me çmimet me siguri e vërtetojmë se këtë vit kemi oferta me çmimet më të ulëta, madje më të ulëta se nga viti i kaluar”, u shpreh Ksenia Trajçeva, përfaqësuese e librarisë.

Viti i ri shkollor nis të hënën, përkatësisht më 2 shtator. Sfidat mbeten të njëjta: mungojnë tekste shkollore, në disa shkolla mësimi do të zhvillohet vetëm në një turn, ndërsa në shumë shkolla për shkak të mungesës së hapësirave do të vazhdohet me dy turne. /Alsat.mk